Krasniqi del para Gjykatës, pritet t’i caktohet masa e paraburgimit
Edhe pas dy orësh, ka vazhduar seanca dëgjimore ndaj Nagip Krasniqit, kryeshef i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), i cili u arrestua të mërkurën, nën dyshimin për kryerjen e tri veprave penale.
Në këtë seancë, do të vendoset lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Krasniqit.
Kjo seancë do të mbahet te gjyqtarja e procedurës paraprake, Violeta Namani.
Kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, u arrestua të mërkurën nën dyshimin për kryerjen e tri veprave penale, ’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ , dhe ‘’Konflikti i interesit’’.
Krasniqu me vendim të prokurorit u dërgua në mbajtje për 48 orë.
Njësia e Veçantë e Hetimeve ka bastisur zyrën e Krasniqit në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, “me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura”, ka njoftuar prokuroria.
“Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre (3) kompjuter, një (1) llap-top, një (1) celular, një (1) USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme”, ka njoftuar prokuroria