24-11-2024

Krasniqi për LO “Paris2024”: Shpresojmë të kthehemi me tri medalje – do të isha i kënaqur edhe me një

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi, është shprehur optimist se sportistët kosovarë do të kthehen me medalje nga Lojërave Olimpike “Paris 2024”.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Krasniqi ka thënë se Kosova është shembull i mirë për rajonin, ndërsa është shprehur falënderues ndaj qeverisë për përkrahje ndaj sportistëve.

“Kosova është shembull edhe për rajonin sa i përket mbështetjes nga Qeveria, por dhe nga komiteti. Kjo është edhe një motiv shtesë për të gjithë sportistët që të punojnë edhe më shumë, sepse të jesh sportist olimpik nuk është lehtë, kërkon shumë punë, përkushtim, përgatitje, ushtrime, ndoshta deri në tre herë në ditë dhe pa pasur motivim nuk është lehtë, dhe pa i stimuluar sportistët dhe trajnerët është e pamundshme”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka treguar edhe për vendimin e KOK-ut për të ndarë bursa për trajnerët që arrijnë sukses në arenën ndërkombëtare.

“Komiteti Olimpik i Kosovës për herë të parë i ndan bursa edhe trajnerëve të cilët kanë rezultate evropiane, botërore, mesdhetare. Kjo mbështetje do të vazhdojë edhe në të ardhmen, sepse mbas Parisit 2024 do të na presin Lojërat Los Angelos, ku menjëherë mbas lojërave do të fillojnë përgatitjet e garuesve tonë elitarë”, u shpreh Krasniqi.

Duke parë garën e fortë që po zhvillohet në këtë Olimpiadë, Krasniqi shprehet i kënaqur nëse arrijnë të fitojnë së paku një medalje.

“Dëshira ime është që të gjithë garuesit të marrin medalje, unë dëshiroj që më së pari të prezantoj Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme, të na bëjë krenarë… është edhe fati në pyetje. Çdo medalje që të vjen, qoftë argjend, bronz apo e artë, të gjitha janë medalje olimpike, personalisht ndoshta edhe me një medalje do të isha i kënaqur sepse nuk është lehtë që të kthehesh prej një olimpiade me medalje sepse ka shumë shtete më shumë garues që shkojnë dhe kthehen pas asnjë medalje. Tash jemi mësuar, në herën e parë kemi pasur me Majlinda Kelmendin, medaljen e parë historike që na ka bërë krenarë të gjithëve, po ashtu edhe në Tokio kemi marrë dy medalje, kështu që tani është hera e tretë. Dashtë Zoti të kthehemi me tre medalje”, përfundoi ai.

Lojërat Olimpike Verore të vitit 2024 do të mbahen në kryeqytetin e Francës, Paris, kurse hapja solemne e Lojërave Olimpike “Paris 2024” është mbajtur të premten më 26 korrik, ndërsa gara mbaron më 11 gusht.

Kosova paraqitet me 9 garues në këto lojëra: 5 xhudistë, 2 notues, një boksiere dhe një atlete. /Klankosova.tv

Asnjë koment

Comments are closed.