Krasniqi: S’jam kriminel siç me përshkruan prokuroria, jam njeri i lindur dhe i kalitur në luftëra për dinjitet njerëzor
Ish-udhëheqës të luftës së UÇK-së që po përballen me proceset gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë kanë vazhduar t’i mohojnë akuzat ndaj tyre, duke i cilësuar ato të pabazuara dhe duke theksuar angazhimin e tyre gjatë luftës.
Në këtë kuadër, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, është shprehur i pafajshëm para trupit gjykues të Dhomave të Specializuara.

Në hapje të adresimit të tij përfundimtar, ai deklaroi se nuk është kriminel, ashtu siç përshkruhet nga prokuroria në aktakuzë, duke theksuar se në këtë gjykatë qëndron si një njeri i lindur dhe i kalitur në luftë për dinjitet njerëzor.
“Qëndroj sot këtu para jush, të nderu gjyqtar, jo si një kriminel që me përshkruan aktakuza e prokurorisë, por si një njeri i lindur dhe i kalitur në luftë për dinjitet njerëzor ngaa një popull që refuzo që të zhdukej, të zhdukej nga politika e krimit dhe gjenocidit të Serbisë”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka folur edhe për jetën dhe bindjet e tij, duke theksuar se angazhimi për liri ka qenë pjesë e hershme e veprimtarisë së tij dhe se burgimi që po vuan është i padrejtë.
“Pjesën më të madhe të jetës time e kam kaluar i udhëhequr nga bindja se qenien njerëzore meritojnë të jetojnë në liri. Pas më shumë se 5 vitesh burgim të padrejtë dhe sipas mendimi tim të panevojshëm, angazhimin politik dhe jetësor për jete e liri jam angazhuar që herët”, është shprehur Krasniqi.

