Krejt çfarë u tha sot rreth dëbimit të gjahut shtetasve turq
Komisioni për hetimin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova ka përfunduar punën me intervistime, pa qenë kurrë aty presidenti Hashim Thaçi, raporton KTV.
I pari i shtetit asnjëherë nuk ka dhënë arsye për mungesën e tij në komision. Ndërkohë, Driton Selmanaj ka bërë të ditur se një nga zyrtarët institucionalë ka dhënë dëshmi të rrejshme para komisionit dhe duhet të shqyrtohet nëse për të do të ngritet kallëzim penal. Raportimi i fundit para komisionit ishte ai i ish-ministrit Sefaj dhe i familjarëve të 6 turqve të dëbuar.
Mbledhja e fundit e komisionit hetimor për dëbimin e 6 turqve nga Kosova, në marsin e këtij viti, del të ketë qenë më e vështira për anëtarët e komisionit.
Zëvendëskryetari i Driton Selmanaj, tha se mbledhja ishte e rënduar meqë pati shprehje të emocioneve nga familjarët e të dëbuarve.
Takimi i komisionit me familjarët zgjati më shumë se tri orë, derisa ata nuk pranuan të xhirohen nga mediet, me arsyetimin se mund t’u rrezikohet jeta të arrestuarve në Turqi.
Njëjtë veproi edhe ish-ministri Flamur Sefaj i cili, një ditë pas dëbimit të turqve, ishte shkarkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj.
Ai kërkoi që mbledhja të mbahet pa media, meqë bazë diskutimi do të jetë një dokument konfidencial.
E, puna e komisionit u përmbyll pa e intervistuar asnjëherë presidentin Hashim Thaçi.
Ai nuk i është përgjigjur asnjë prej ftesave të komisionit deri tash dhe nuk ka dhënë kurrë arsye pse nuk ishte aty.
Driton Selmanaj e ka quajtur qasje të liderëve autoritarë atë të presidentit, por ka thënë se nuk kanë kohë të merren me procedura të tjera, sepse, sipas ligjit, ai mund të sillej edhe në formë tjetër para komisionit.
Por, i papërgjegjshëm del të mos ketë qenë veç presidenti.
Selmanaj ka treguar se një zyrtar institucional ka sjellë dëshmi të pasakta para komisionit, e që për të mund të ngritet edhe kallëzim penal për deklarim të rrejshëm.
As raportimi i ish-shefit të AKI-së nuk ka qenë bindës për Selmanajn.
Ai thotë se nuk është bindur se ka qenë AKI-ja ajo që ka dhënë urdhrin për dëbimin e turqve, që, sipas tij, ka ndodhur edhe me thes në kokë.
Selmanaj thotë se rasti i dëbimit nuk mund të përfundojë veç me përgjegjësi politike, por duhet të ketë edhe përgjegjësi penale.
U tha se mbetet çështje ditësh deri kur do të finalizohet draft-raporti i komisionit, i cili më pas do t’i dorëzohet kryesisë për të vendosur për seancën ku do të trajtohet i njëjti.