Krijueses Manjola Brahaj iu nda çmimi “Yllka Domi” në Mitingun e poezisë në Gjakovë
Krijueses me origjinë nga Tropoja, por që tashmë jeton në Prizren, Manjola Brahajt sot iu nda çmimi “Yllka Domi” si poete debutuese në Mitingun 54 të poezisë në Gjakovë, të organizuar nga Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Libri i saj i tretë i botuar në 2017 titullohet “Çka nuk tregohet nuk ka ekzistue”.
Brahaj (1986) ka kryer studimet në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, për Gjuhë shqipe dhe Letërsi. Ka marrë gradën Doktor i shkencave në letërsi në vitin 2017. Ajo ka botuar krijimet e saj në revista letrare të ndryshme si: “Jeta e Re”, “Mehr Licht” “Poeteka” “Obelisk” “Illz” ,“Kuvendi” në Miçigam dhe “Bitacora” në Meksikë.
Po ashtu me krijimtarinë e saj është bërë pjesë e antologjive të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Është autore e librit me poezi “Vajtimi i Kalipsosë”, me të cilin ka fituar çmimin kombëtar “Migjeni” në konkursin për “Çmimet Kombëtare të Letërsisë” për vitin 2010.
Në dhjetor 2012 vlerësohet me çmimin e parë në konkursin mbarëshqiptar organizuar nga “Klubi Zahiri” me poezinë “Anima”, si poezia më e mirë e publikuar në internet. Po në vitin 2012 vlerësohet më çmimin “Rrahman Dedaj” organizuar nga shoqata Prokult në Podujevë, me poezinë “Largsitë”. Në qershor 2014 ka botuar librin e saj të dytë me poezi “Na nuk jena t’ktuhit”. Është fituese e çmimit të dytë në konkursin ndërkombëtar të zhvilluar në Itali “Terre lontane”.
Ka përkthyer dhe sjellë në shqip cikle poezish dhe intervista të disa autorëve të botës latine, që i ka botuar kryesisht në revista letrare. Disa prej tyre janë; Pablo Neruda, Federico Garcia Lorca, Octavio Paz, Jorge L. Borges, Ernesto Sabato, Mario Melendez, Fernando Carrera, Adriana Hoyos dhe po punon aktualisht me Alejandra Pizarnik.
Pjesë nga krijimtaria e saj janë përkthyer në disa gjuhë.
Ajo tashmë jeton në Prizren ku është e martuar./GazetaePrizrenit.net/