Krizë në Republikën Sërpska pasi Dodikut i merret mandati
Kush do të propozojë një mandatar për kryeministër për Qeverinë e re të Republikës Sërpska?
Kjo pyetje lindi pasi kryeministri i këtij entiteti të Bosnje dhe Hercegovinës, Radovan Vishkoviq, dha dorëheqje më 18 gusht dhe, në të njëjtën ditë, edhe Millorad Dodikut iu mor mandati i presidentit të entitetit.
Sipas Kushtetutës së Republikës Sërpska, vetëm presidenti i entitetit ka të drejtë të propozojë një mandatar për kryeministër për qeverinë e re.
Dorëheqja e Vishkoviqit çoi automatikisht në rrëzimin e qeverisë, por, deri në zgjedhjen e qeverisë së re, ministrat aktualë, të udhëhequr nga Vishkoviq, do të vazhdojnë të kryejnë detyra teknike.
Dodik, zyrtarisht, nuk e mban më detyrën e presidentit, pasi Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës e hodhi poshtë ankesën e ekipit të tij ligjor kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për t’ia hequr mandatin.
Qysh më herët, atij iu ndalua të mbante poste politike publike për gjashtë vjet.
KQZ-ja duhet të shpallë zgjedhje të parakohshme për presidentin e entitetit brenda 90 ditësh.
Emërimi i një kryeministri nga Dodiku do të ishte jokushtetues
Nëse Dodik, tani ish-president i Republikës Sërpska, do të vendoste të emëronte një kandidat për Qeverinë e re të Republikës Sërpska, ai do të shkelte Kushtetutën e këtij entiteti, si dhe Kushtetutën dhe ligjet e Bosnje dhe Hercegovinës, thotë për Radion Evropa e Lirë profesori i së Drejtës Kushtetuese, Millan Bllagojeviq.
Ai shpjegon se kjo është pasojë e vendimit përfundimtar të Gjykatës së Bosnje dhe Hercegovinës – i publikuar në fillim të gushtit – me të cilin Dodik u dënua me një vit burg dhe ndalim të mbajtjes së posteve publike për gjashtë vjet.
Ligji zgjedhor i Bosnje dhe Hercegovinës përcakton që mandati i një zyrtari të zgjedhur, përfundon në datën e një vendimi gjyqësor të formës së prerë, që e dënon atë me burg prej gjashtë muajsh ose më shumë.
“Që nga dita kur u dha vendimi përfundimtar, Millorad Dodik nuk është më president i Republikës Sërpska. Jo sepse kështu dua unë, por sepse ligji dhe vendimi e thonë këtë. Që nga momenti kur Dhoma e Apelit e Gjykatës së Bosnje dhe Hercegovinës e konfirmoi vendimin, ai nuk mund ta mbajë më atë pozicion”, thotë Bllagojeviq.
Ai shton se Kushtetuta e Republikës Sërpska përcakton qartë se vetëm presidenti i entitetit ka të drejtë të propozojë një kandidat për qeverinë e re.
“Nëse kryeministri jep dorëheqje ose shkarkohet nga detyra në Kuvendin kombëtar, mandatarin e ri për kryeministër mund ta propozojë vetëm presidenti i Republikës. Ligjërisht, Dodik nuk është më ai. Është gjë tjetër tentimi për të imponuar me forcë një situatë ndryshe, por kjo nuk është çështje dëshirash personale – është zbatim i rreptë i Kushtetutës dhe ligjit”, thotë Bllagojeviq.
Sipas tij, Vishkoviq është aktualisht kryeministër me mandat teknik dhe kryeministri i ri mund të zgjidhet vetëm pasi të mbahen zgjedhjet e parakohshme për presidentin e Republikës Sërpska.
“Prandaj, zgjedhja e një mandatari për kryeministër është e mundur vetëm kur qytetarët ta zgjedhin një president të ri, i cili është i vetmi që ka të drejtë kushtetuese për të propozuar një kryeministër të ardhshëm. Nëse Dodik do ta bënte këtë, ai do të shkelte Kushtetutën e Republikës Sërpska”, përfundon Bllagojeviq.
Pse ra Qeveria e Republikës Sërpska?
Analisti politik, Stefan Bllagiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se arsyeja kryesore për dorëheqjen e Vishkoviqit dhe rënien e Qeverisë së Republikës Sërpska qëndron tek aktgjykimet përfundimtare dhe strategjia politike e Dodikut.
“Aktgjykimet dhe planet që ka Dodik për periudhën e ardhshme, janë motivi kryesor. Ai do të ketë nevojë për bashkëpunëtorë më të bindur dhe mbështetje më të gjerë politike”, thotë ai.
Dodik ka përsëritur disa herë se nuk e njeh aktgjykimin dhe ka paralajmëruar një sërë vendimesh që janë në kundërshtim me institucionet e Bosnje dhe Hercegovinës.
Mes tjerash, ai ka paralajmëruar një referendum për në shtator, pa e specifikuar pyetjen, por aludohet se mund të lidhet me statusin e Republikës Sërpska.
Bllagiq vlerëson se dorëheqja e Vishkoviqit është, në fakt, një çmim politik që Dodik po e paguan për të zbatuar planet e tij.

“Është e qartë se Dodik nuk planifikon ta dorëzojë pushtetin në mënyrë paqësore. Kjo ka qenë e dukshme nga paraqitjet e tij të fundit publike. Gjithçka shkon në atë drejtim, por pyetja është nëse do të ketë sukses ta bëjë këtë dhe çfarë do të arrijë në të vërtetë me këtë”, thotë Bllagiq.
Analisti tjetër politik, Mlladen Bubonjiq, pajtohet se dorëheqja e Vishkoviqit është pjesë e një krize më të gjerë politike në Republikën Sërpska, e intensifikuar nga miratimi i disa vendimeve që sfidojnë juridiksionin e shtetit të Bosnje dhe Hercegovinës.
Ai kujton se Vishkoviq ishte pjesëmarrës aktiv në këto procese dhe se kishte mandatin më të gjatë kryeministror në Republikën Sërpska, por shton se rezultatet e Qeverisë së tij mbeten të diskutueshme, sidomos në kontekstin e problemeve me financat, rezervat e mallrave dhe menaxhimin e burimeve publike.
“Mund të ketë shumë arsye për rënien e qeverisë – nga përpjekjet për të përmirësuar imazhin e qeverisë, përmes konflikteve të brendshme në Aleancën e Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD), deri te shkarkimi strategjik i personelit që ishte bërë barrë. Pra, çdo gjë mund të ndodhte, por kjo është shumë e mundshme… duke marrë parasysh mesazhet që Dodik dërgoi më vonë… ai foli për vetëvendosjen, për një referendum dhe për largimin nga Bosnje dhe Hercegovina. Është iluzore të mendohet se ata do të dorëzohen kështu, pa luftë”, thotë Bubonjiq.
Çfarë thotë Ligji për qeverinë?
Ligji përcakton që mandati i Qeverisë së Republikës Sërpska përfundon nëse Kuvendi kombëtar shpërndahet, nëse deputetët votojnë për mosbesim ndaj tij ose nëse kryeministri jep dorëheqje.
Në rast të dorëheqjes së kryeministrit, mandati i gjithë qeverisë përfundon automatikisht, por ajo mbetet në detyrë me mandat teknik derisa të emërohet e reja.
Procedura përfshin paraqitjen e dorëheqjes së kryeministrit te kryetari i Kuvendit kombëtar, i cili më pas ia dorëzon atë presidentit të Republikës Sërpska dhe të gjithë deputetëve.
Kuvendi duhet brenda shtatë ditësh ta vendosë dorëheqjen në rend dite dhe ta konfirmojë pranimin e saj.
Vetëm atëherë, dorëheqja bëhet zyrtarisht e vlefshme ligjërisht, ndërsa kryeministri dhe ministrat vazhdojnë të punojnë me mandat teknik deri në formimin e qeverisë së re.
Të gjitha qeveritë e Republikës Sërpska në periudhën e pasluftës
Vishkoviq dha dorëheqje pak më shumë se një vit para zgjedhjeve të përgjithshme, të planifikuara për në tetor të vitit 2026, kur mandati i tij do të skadonte zyrtarisht.
Por, edhe më herët, kryeministra të Republikës Sërpksa janë larguar nga detyra para përfundimit të mandatit.
Kryeministri i parë i pasluftës, Rajko Kasagiq, është shkarkuar në maj të vitit 1996, me vendim të presidentes së atëhershme, Bilana Pllavshiq.
Pasardhësi i tij, Gojko Klliçkoviq, ka dhënë dorëheqje në vitin 1998 dhe ka ikur në Serbi, ku është fshehur për gati një dekadë, për të ikur nga akuzat për krime lufte. Pas ekstradimit të tij, një gjykatë në Bosnje dhe Hercegovinë e ka liruar nga akuzat.
Dragan Mikereviq ka dhënë dorëheqje në vitin 2004, duke deklaruar se nuk do që t’i pranojë ultimatumet e përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë.
Qeveria e Pero Bukejlloviqit ka humbur besimin e Kuvendit kombëtar në vitin 2006, duke çuar në emërimin e Dodikut si kryeministër.
Dodik ka lënë detyrën në vitin 2010, për të marrë rolin e presidentit të Republikës Sërpksa.
Më vonë, ai ka tërhequr mbështetjen e tij për kryeministrin e atëhershëm, Aleksandar Xhombiq, i cili ka dhënë dorëheqje në vitin 2013.
Zhelka Cvijanoviq është larguar nga detyra në vitin 2018, pasi është zgjedhur presidente e Republikës Sërpska dhe është pasuar nga Vishkoviq.
Edhe pse Vishkoviq ka qenë kryeministër i Republikës Sërpska për periudhën më të gjatë pa ndërprerje, Dodik mban rekordin me më shumë se shtatë vjet si kryeministër në mandate të ndryshme.