Kroacia rikthen shërbimin ushtarak të detyrueshëm
Parlamenti kroat ka miratuar Ligjin për ndryshimet në Ligjin e Mbrojtjes dhe Ligjin për Shërbimin në Forcat e Armatosura, me të cilin rikthehet trajnimi bazë ushtarak që do të nisë në vitin 2026.
Qëllimi është që meshkujt të regjistrohen në moshën 18-vjeçare dhe të dërgohen në shërbim në moshën 19-vjeçare. Meshkujt e moshës nga 19 deri në 30 vjeç, të cilët janë në moshë ushtarake, mund të thirren gjithashtu ose të paraqiten vullnetarisht. Gratë nuk do të kenë detyrim, por mund të marrin pjesë në trajnim nëse dëshirojnë.

Trajnimi ushtarak do të zgjasë dy muaj dhe do të llogaritet si pjesë e përvojës së punës (stazhit), me pagesë prej 1,100 euro neto. Punëdhënësit do të ndalohen të shkarkojnë punonjësit që janë të detyruar të marrin pjesë në trajnim ushtarak.
