Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, sot do të qëndrojë në Prizren. Me këtë rast ai do të vizitojë bazën ushtarake të KFOR-it gjerman në Prizren, që tashmë po shndërrohet në një Park Inovativ dhe trajnues kosovaro-gjerman, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Haradinaj së bashku me një pjesë të Kabintetit të tij Qeveritar do të pritet nga komandanti i kontingjentit gjerman, nënkolonel Dr. Eric Offermann.
Kryeministri Haradinaj, kohë më parë e ka vlerësuar kampin ushtarak gjerman të KFOR-it, një lloj sikur kampin amerikan “Bondsteel”, sa i përket zhvillimit ekonomik të Prizrenit, për shkak së aty parashihet të hapen vende pune, derisa ka ftuar të gjithë, që të kontribuojnë për konkretizimin e kësaj nisme, në një storie të suksesit për Kosovën dhe rajonin.
Në një kumtesë të KFOR-it gjerman, gjatë vizitës dyorëshe në kampin fushor, që nis në orën 10:00, pos tjerash është planifikuar një shëtitje nëpër kamp, me ç’rast do të prezantohet infrastruktura e tij, ku ndër tjera bën pjesë spitali dhe kuzhina.
Në këtë kamp, që ka mbi 40 hektarë, të rinjtë dhe të rejat e Kosovës do të mund të marrin njohuri dhe të trajnohen për teknologji informative, bujqësi, ushqim dhe agro-përpunim, industri kreative, turizëm, arsim, shkencë dhe hulumtime të ndryshme.Kampi posedon 23 ndërtesa me 550 dhoma me kapacitet për banim për rreth 1,200 persona.
Kryeministri do ta përmbyll vizitën në kamp me një drekë të përbashkët, që mbahet në kuzhinën e Kampit fushor.
Ndryshe, kontingjenti gjerman gradualisht po redukton trupat në Prizren, një pjesë e të cilëve do të transferohen në Prishtinë, në mënyrë që deri në fund të vitit ta mbyll misionin, prej gati dy dekadash në këtë qytet.
Në këtë kontekst, pikërisht një muaj më parë, me 4 tetor, në qendrën e Prizrenit, është mbajtur edhe ceremonia lamtumirëse për ushtarët e KFOR-it gjerman, në të cilën mori pjesë edhe Haradinaj. /GazetaePrizrenit.net/
Në ballinë foto nga pjesëmarrja e Kryeministrit Haradinaj në ceremoninë lamtumirëse të KFOR-it gjerman në Prizren, në tetor.