Kryeministri Hoti e komenton momentin kur Vuçiq e pyeti se a din serbisht
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në emisionin Pressing të T7, ka thënë se qëllimi i dialogut është njohja reciproke në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Ndërkohë që momenti kur presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e pyeti Hotin se a din serbisht, ky i fundi tha se është vetëm çështje interpretimesh.
“Ne kemi filluar këtë proces pas 20 muajve, me rekomandime të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Kemi dialogu me BE’në dhe partnerët për të arrirë një marrëveshje përfundimtare. E cila kryefjalë ka njohjen reciproke dhe normalizimin e raporteve. Interpretimi i mediave se si kemi hyrë në takim është çështje e gazetarëve dhe qytetarëve se si interpretohet”, është shprehur Hoti.
Tutje, ai tha se me Serbinë po dialogohet për njohje reciproke dhe mbylljen e të gjitha çështjeve me Serbinë.
“Ne hyjmë në këtë proces jo për të normalizuar vijat e autobusëve. Janë të rëndësishme, por pas 9 vjetëve dialog, ne duhet të dialogojmë për mbyllje të të gjitha çështjeve që kemi me Serbinë. Normalizimi i vetëm vjen vetëm me njohje reciproke”, shtoi Hoti.