Kryeministri Hoti zotohet për procedim të shpejtë në Kuvend të Ligjit për Paga
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti është zotuar se do të veprojë me shpejtësi për procedimin në Kuvend të Ligjit për Paga, pas adresimit të vërejtjeve nga Gjykata Kushtetuese.
Kushtetuesja e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Paga, të marten. Pas dy pezullimeve, kjo gjykatë kishte vendosur që ky ligj në tërësi nuk është në përputhshmëri me disa nene të Kushtetutës së Kosovës.
Hoti, pas takimit me përfaqësuesit e sindikatave, ka thënë se vendimet e Gjykatës nuk diskutohen, por pranohen ashtu si janë, raporton KOHA.
“Jemi dakorduar që qeveria menjëherë ta formojë grupin punues, për ta proceduar në Kuvend Ligjin e Pagave, duke marrë parasysh argumentet e Gjykatës Kushtetuese, por edhe grupet tjera që mund të kenë pasur vërejtje për këtë ligj”, u ka thënë ai gazetarëve pas takimit.
Ai është zotuar që t’i nisë menjëherë procedurat.
“Zotim i Qeverisë është që ne do t’i nisim menjëherë procedurat. Problemet janë të mëdha. Besoj që të gjitha vërejtjet do të kemi mundësi t’i adresojmë dhe do ta dërgojmë në Kuvend Ligjin. Brenda mundësive që kemi si qeveri, t’i adresojmë disa prej nevojave më urgjente”, ka thënë ai.
Vetëm pesë ditë pasi ka hyrë në fuqi Ligji i ri për paga, në dhjetor të 2019-s, Avokati i Popullit e kishte dërguar Ligjin për Paga në Gjykatë Kushtetuese, për vlerësim të përputhshmërisë së tij me Kushtetutën. Këtij institucioni i është kërkuar që të vendosë masë të përkohshme ndaj zbatimit të këtij ligji. Pasi sipas Avokatit të Popullit është e nevojshme që të mbrohet interesi publik për të evituar dëmet e pariparueshme që do të mund të shkaktoheshin nga zbatimi i Ligjit për paga.