24-11-2024

Kryeministri Kurti nga Vlora: Të punojmë bashkë sepse duam, sepse duhet

“Le t’i gëzohemi sukseseve të secilit shqiptar. Le t’i bëhemi krah secilit shqiptar”.

Kështu e konkludoi urimin e 28 nëntorit, kryeministri Albin Kurti, gjatë vizitës së përbashkët me krerët shqiptarë në Vlorë në rastin e Ditës së Flamurit.

“28 nëntori është pikënisja dhe pikëprerja e kombit tonë”, tha Kurti.

Mes tjerash ai edhe kujtoi se më 27 nëntor, Kosova shënoi Ditën e Forcës, vit këtë të cilin e quajti vit të ushtrisë.

“Përkrahë aleatëve tanë po kontribuojmë në mbrojtjen e vlerave universale të lirisë, paqes dhe demokracisë”.

Shkrimi i plotë i Kurtit:

Nëntori i Flamurit dhe Forcës

Sot, në Vlorë, në 110-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kujtuam historinë, përkujtuam sakrificën dhe nderuam lavdinë e atyre që besuan sepse ëndërruan, punuan sepse besuan. Çdo vit, 28 Nëntori na bën bashkë. 28 Nëntori është pikënisja dhe pikëprerja e kombit tonë. E ne duhet të jemi më shpesh bashkë. Të punojmë bashkë. Të rrugëtojmë bashkë. Sepse duam. Sepse duhet.

Ndërkaq dje, ndërkohë që në Tiranë po mbanim mbledhjen e parë të përbashkët të Kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë, në Prishtinë, shënuam Ditën e Forcës. Për Qeverinë, ky ishte viti i ushtrisë. Me një ndarje buxhetore prej 123 milionë euro, që tejkalon çdo vit paraprak; e me 99% më tepër investime në blerje ushtarake përgjatë këtij viti, ushtria jonë po konsolidohet në aspektin profesional e operacional. Përkrahë aleatëve tanë po kontribuojmë në mbrojtjen e vlerave universale të lirisë, paqes dhe demokracisë. Forca e Sigurisë së Kosovës është forca e pashtershme e brezave të tërë të popullit tonë luftëtarë, të vendosur e të pathyeshëm.

Urime të gjithëve 28 Nëntori, Dita e Flamurit! Le t’i gëzohemi sukseseve të secilit shqiptar. Le t’i bëhemi krah secilit shqiptar.

Asnjë koment

Comments are closed.