Kryeministri Kurti takon mërgatën në Turqi dhe përfaqësues të shoqatave shqiptare
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi dhe bashkëbisedoi në Izmir pjesëtarë të mërgatës, studentë dhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme shqiptare nga Izmiri, Bursa, Manisa e Stambolli.
Kryeministri gjithashtu veçoi arsyet se pse Kosova ofron një mjedis të favorshëm për investime, përfshirë këtu çmimin e lirë të energjisë elektrike, fuqinë punëtore profesionale, besimin në institucionet publike, politikat fiskale dhe faktin që Kosova së fundmi ka marrë vlerësimin e saj të parë kreditor sovran nga Fitch Rating. Me këtë rast, ai u bëri thirrje që të vijnë në Kosovë, të hulumtojnë mundësitë që ofron vendi ynë dhe të investojnë, teksa shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e vazhdueshëm e të rëndësishëm të mërgatës sonë në Turqi, sa në ruajtjen e raporteve të mira, aq edhe në krijimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.
Në këtë tubim i pranishëm ishte edhe Kryetari i Bashkisë Metropolitane të Izmirit Dr. Cemil Tugay, me të cili kryeministri Kurti gjithashtu pati një takim gjatë qëndrimit në Izmir.