24-11-2024

Kryeministri s’ka zgjidhje për ikjet e të rinjve – e ofron postin për ata që mund t’i ndalin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një konferencë për media ka thënë se nuk ka zgjidhje për ikjet e qytetarëve nga Kosova, derisa ka ofruar postin e tij nëse dikush arrin që t’i ndalë qytetarët.

Ai thotë se një gjë e tillë është shqetësuese, megjithatë sipas tij kjo gjendje para ambasadave është që pothuajse 10 vite.

“Për ata që s’kanë vende pune, ata e gjejnë një vend pune në Gjermani e Austri, e është e arsyeshme që të largohen. Kjo është shqetësuese, por s’është që po ndodh vetëm sot. Me kapacitetet tona është e pamundur ta zgjidhim papunësinë menjëherë. Ideja e lëvizjes që shkojnë ata edhe kthehen. Këto para ambasadave më duket se janë kështu që 10 vjet. Ai që e gjen një vend pune në Gjermani gëzohet. Nuk po them se është mirë, por ata që s’kanë punë është mirë që bëjnë qare. Vërtet ata që shkojnë fitojnë dhe e ndihmojnë familjen, por është një person më pak në ekonominë e vendit. Nëse dikush mund të zgjidhë këtë çështje le të urdhërojë ta marrë vendin tim”, ka deklaruar Haradinaj, transmeton Koha.net.

Sipas Haradinaj është oferta më e mirë nga shtetet e Evropës ajo që i shtynë qytetarët që të largohen nga Kosova.

“ Ne i përcjellim statistikat dhe e shohim se çfarë po ndodhë. Sot s’mund të bëjmë asgjë. Është e pashmangshme kur i ofrohet një vendi integrimi në Evropë. Oferta më e mirë në treg fiton, e është e vështirë të ndalësh njerëzit. Bullgarisë i kanë ikur 1 milion njerëz për shkak të kësaj”, ka thënë ai.

Kryeminsitri Haradinaj gjithashtu ka folur edhe për Samitin e Berlinit, për të cilin thotë se do të zhfrytëzohet që të kërkohet liberalizimi i vizave. Derisa nuk pret ndonjë marrëveshje pasi nuk është takim bilateral.

“Në Berlin është një mundësi reali me ec përpara për liberalizimin e vizave. Ky nuk është takim bilateral, është tavolinë e përbashkët. Procesi i Berlinit dhe është shumë me peshë, pasi kryesohet nga Merkeli e Macroni dhe është nder për Kosovën që është aty por s’mendoj se do të arrihet ndonjë marrëveshje. Do ta kemi mundësinë që të diskutojmë. Kjo është e rëndësishme pasi jemi të interesuar të kemi liberalizimin e vizave, e do ta shtrojmë edhe këtë çështje”, është shprehur Haradinaj.

Më tutje ai ka thënë se ideja për një Samit Rajonal, përfshirë edhe kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq, ende ekziston.

Sipas kryeministrit nuk është mirë që po raportohet për ikjet e qytetarëve, derisa sipas tij ekziston një tendencë e shtrirjes së ndikimit rus në Kosovë.

“Ka tendencë të përfshirjes së Kosovës, dhe ekziston një tendencë e Rusisë për ndikim. Por, ne duhet ta dimë menaxhimin e vetvetes. Frikohem se është e përzier gjendja te ne, e nganjëherë nuk mendoj se është shumë e mençur me këto raportime e gjëra të tilla”, ka thënë Haradinaj.

Asnjë koment

Comments are closed.