Kryeprokurori i Prizrenit, Kryeziu: Aksion, janë arrestuar 17 të dyshuar për degradim mjedisi
Prokuroria Themelore në Prizren ka realizuar një operacion madhor që nga mëngjesi i së mërkurës.

Në pranga kanë rënë 17 të dyshuar për degradim të ambientit.
Në një konferencë për media, kryeprokurori i Prokurorisë së Prizrenit, Petrit Kryeziu, ka thënë se operacioni është realizuar në 14 lokacione.
Fokusi kryesor i këtij operacioni ishte ndalimi i dëmtimit të mjedisit përgjatë lumit të Drinit të Bardhë.
Në një deklaratë për media, kryeprokurori Kryeziu bëri të ditur se aksioni ishte rezultat i një hetimi intensiv katërmujor:
“Kemi zhvilluar hetime ndaj personave që kanë degraduar mjedisin. Këta të pandehur kanë vepruar që nga viti 2016. Asnjë prej operatorëve ekonomikë nuk kanë pasur licenca për nxjerrjen e rërës dhe zhavorrit,” u shpreh ai.
Ai shtoi se përveç hetimeve të detajuara, janë përdorur edhe materiale filmike të mbledhura gjatë ditës dhe natës, të cilat besohet se do të shërbejnë si prova të forta për ndjekjen penale të të dyshuarve.
“Kemi marrë filmime ditën dhe natën, dhe besoj që kemi arritur të sigurojmë prova të mjaftueshme për t’i vendosur para drejtësisë,” tha Kryeziu.
Sipas tij, në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar 17 persona dhe janë sekuestruar 38 mjete pune të ndryshme, me një vlerë të përgjithshme rreth 2 milionë euro. Arrestimet janë kryer në zona të ndryshme, që shtrihen nga Krusha e Vogël deri në Landovicë.
Ky aksion konsiderohet një prej më të mëdhenjve të ndërmarrë ndonjëherë në rajonin e Prizrenit për mbrojtjen e mjedisit, dhe vjen si pjesë e përkushtimit institucional për të ndaluar dëmtimet e pakthyeshme në natyrën e vendit.