24-11-2024

Kryetari Haskuka ka do “gjynahe” në Prizren

Ardhjen si kryetar komune të doktorit të psikologjisë, profesorit e deputetit, Mytaher Haskuka nga Vetëvendosje!, qytetarët e Prizrenit e kanë pritur me interesim, si një alternativë për ndryshimin e premtuar të diskursit nga qeverisja paraprake.

Shumica e prizrenasve u besuan premtimeve të tij, por faktet nga puna e deritashme tregojnë ndryshe, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Haskuka tregohej i përkushtuar për drejtësi e barazi gjinore, por realiteti duket ndryshe. Premtimi për 50 përqind femra në ekzekutiv, jo që nuk u përmbush, por për dallim nga tradita kur zakonisht kishte dy drejtoresha, tashmë në komunën e dytë për nga madhësia ka mbetur vetëm një për “hasret”.

Përkundër premtimeve nuk ka bërë diçka të dukshme, as rreth premtimit për depolitizimin e arsimit, të cilin e kishte prioritet kryesor në fushatë.

Madje, pos partnerit kryesor të koalicionit të tij LDK-së, këtë po e thonë edhe bashkëpartiakët e Haskukës, dhe atë në organin më të rëndësishëm lokal, në Kuvendin Komunal. Akuzat e kuvendares së VV-së, Mimoza Bushrani, ndaj drejtorit të Arsimit, Skënder Susuri, për “shkelje në konkurse” dhe paralajmërimet për adresimin e tyre në Prokurori, nuk qenë të vetmet. Kuvendarja Sadije Jakupi (LDK), sapo ngriti problemin e mungesës prej 5 muajsh të arsimtarit të “shqipes”, në shkollën “Motrat Qiriazi” për katër klasë të nënta. Pas publikimit të lajmit, mësues e qytetarë nëpër rrjete sociale, paraqitën edhe raste të tjera të kësaj natyre. Kjo ndodh derisa qindra të rinj të diplomuar presin punë.

Kritika në Asamble ka pasur edhe ndaj klubit të futbollit Liria, që tashmë rrezikon rënien nga liga, pasi qëndron e parafundit në tabelë.

Në këto raste nuk është parë ndonjë ndërhyrje apo veprim konkret i Haskukës. Heshtja nënkupton pajtim me të keqën, e nëse deklarimet janë të paqëndrueshme, ai duhet ta dëshmojë.

Me interesim janë pritur edhe premtimet për Zonën Historike në Prizren, por nuk është bërë diçka e dukshme për rrënimin e objekteve pa leje, për të cilën ishte kritikuar shumë PDK. Pos disa gjërave të imta, në këtë rast nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret.

Madje, problem tash është ndotja akustike gjatë natës, lypsarët, ekspozimi i pahijshëm e pa kriter i tezgave për shitje të gjësendeve plastike. Nuk janë të dukshme masat për mosrespektim të ligjit.

Kritika e premtime kishte edhe sa i përket ngritjes së shtatores për Komandant Drinin. Ish-asamblistja, Drita Millaku vazhdimisht potenconte mungesën e shtatores, duke akuzuar ish-qeverisjen, ndonëse kah fundi i mandatit kishte paraparë mjetet në buxhet.

Duket se edhe ky përvjetor, që është më 8 maj, do të kalojë pa shtatore të Drinit në Prizren, të cilin kjo qeverisje e kishte premtuar.

Ndonëse është deklaruar për transparencë radikale, qeverisja e Haskukës është karakterizuar me mungesën e saj, pasi “facebooku” i tij dhe komunës është më shumë propagandë se sa informim.

Këtë e kanë thënë përfaqësues të shoqërisë civile dhe gazetarë në Prizren, të cilët në vlerësimet e tyre nuk kanë dhënë notë të lartë për punën e qeverisjes lokale sa i përket pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje, transparencës e llogaridhënies si dhe qasjes në dokumentet zyrtare.

Asnjë subjekti tjetër nuk i shihet për të madhe për shumë gjëra sa Vetëvendosjes dhe kryetarit Haskuka, pasi ata kishin kritikuar më së shumti, duke premtuar ndryshime.

Nëse vazhdon kështu zhgënjimi qytetar është në rritje. Mos Zot të vjen puna deri aty, sa të kërkohet ish-qeverisja, të cilën VV pothuajse e kritikonte “24 orë”./GazetaePrizrenit.net/

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.