24-11-2024

Kryetari Haskuka kërkon dënim për shkaktarët e zjarreve

Autoritetet komunale të Prizrenit, të martën, kanë kërkuar nga organet e hetuesisë që të ndërmarrin veprime për identifikimin e zjarrvënësve në territorin e kësaj komune. Sipas tyre, si pasojë e keqbërësve tashmë po dëmtohen edhe bukuritë natyrore të vendit.

Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, në rrjetet sociale ka publikuar fotografi të pyjeve të djegura në shtegun që çon kah vendi i quajtur “Pashaqeshme”, që nga organet komunale e bjeshkatarët lokalë po promovohet si destinacion turistik. Veprimet e personave të papërgjegjshëm i ka cilësuar si vandalizëm dhe ka kërkuar që ata të sillen para drejtësisë, shkruan sot Koha Ditore.

“Zjarrvënia është akt kriminal me ligjet e Kosovës dhe dënohet deri në 5 vjet burg. Ftoj policinë, organet e hetuesisë që të identifikojnë këta kriminelë që të marrin dënimin që e meritojnë”, ka shkruar Haskuka në reagimin e tij.

Drejtori për Emergjenca dhe Siguri në Komunën e Prizrenit, Faruk Dakaj, ka pohuar se rasti në shtegun e “Pashaqeshmes” ka ndodhur më 31 mars të këtij viti. “Shkaktari i zjarrit në këtë zonë dyshohet të jetë faktori njeri. Por ende nuk janë identifikuar autorët e kësaj vepre”, ka thënë Dakaj.

Asnjë koment

Comments are closed.