Kryetari Haskuka zyrtarizon emërimin e drejtorit të ri të Inspektorateve në Prizren
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, sot ka konfirmuar emërimin e Edon Muçajt për drejtor të ri Inspektorateve në komunën e Prizrenit.
Muçaj, një aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje nga lagja Arbana, ka punuar në qendrën e VV në Prizren.
“Jam më se i sigurt që së bashku me stafin e Drejtorisë së Inspektorateve, Edoni do të vazhdojë punën e suksesshme të kësaj drejtorie për implementimin e ligjit dhe mbrojtjen e së mirës së qytetarëve”, ka deklaruar Haskuka, në deklarimin e tij, teksa publikoi lajmin.
Në fakt portali “Gazeta e Prizrenit”, për këtë vendim ka shkruar edhe dy ditë më parë, kur ndonëse pa njoftim zyrtar, në rrjete sociale Muçajt i janë drejtuar edhe urime për postin.
Në këtë pozitë, Muçaj do të zëvendësojë Islam Thaçin, i cili kohë më parë është emëruar në postin e drejtorit të Mirëqenies Sociale, pas prishjes së koalicionit LVV-LDK.
Haskuka ndërkaq ka deklaruar se Edoni i ka të gjitha premisat për ta kryer këtë detyrë me sukses, ka integritet të lartë moral, është një punëtor i pashoq dhe është i gatshëm që të ballafaqohet me sfidat dhe problemet, si dhe të merr përgjegjësi për të mbrojtjur interesin publik.
Emërimi i drejtorit për Inspektorate plotëson zbrazëtinë e mbetur në kabinetin e kryetarit prizrenas Mytaher Haskuka, pas formatimit të parë të madh bërë qeverisë lokale, pas prishjes së koalicionit me partnerët dhe akuzave e trysnisë për aktakuza gjyqësore dhe tenderë. /GazetaePrizrenit.net