Kryetari i AGK-së: Rangimi në indeksin e lirisë së shtypit shokues
Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, e ka cilësuar si rangim shokues renditjen e Kosovës në indeksin e lirisë së shtypit, ku ka rënë për 24 vende.
Rexha tha se AGK-ja e sheh këtë si relfketim i asaj që ka ndodhur vitin e kaluar dhe që ka qenë një fushatë vazhdimisht e njëjtë e qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje.
“Ky është një alarm i jashtëzakonshëm, është një rangim shokues që e lë Kosovën si vendin e fundit, më së keqi në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Rexha në konferencën e jashtëzakonshme të thirrur pas publikimit të raportit të organizatës “Reporterët pa Kufij”.
Ai tha se klima e qeverisë Kurti ka qenë vazhdimisht kundër mediave dhe se kjo është vërtetuar edhe me Ligjin për KPM-në, që pastaj u rrëzua nga Kushtetuesja.
Edhe në raport përmendet ky ligj, fushatat e vazhdueshme ndaj gazetarëve, ndërhyrja apo mungesa e pavarësisë së RTK-së, siguria e gazetarëve, rritja e padive SLAPP e të tjera.
Rexha propozoi formimin e një taskforce për të adresuar gjetjet e këtij raporti, teksa shtoi se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me të gjithë për këtë.
Ndryshe, Kosova e ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e ’99 në botë nga 180 shtete.
Ky është viti i dytë radhazi që Kosova shënon rënie, pasi në vitin 2024-a nga vendi i 56-të në atë të 75-të.
Në raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij, më 2 maj, në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Kosova renditet më së keqi në zonën e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.