Kryetari Latifi, nënshkruan vendimin për masat e veçanta për mbrojtjen nga pandemia COVID-19
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka nënshkruar vendimin për masat e veçanta për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Referuar njoftimit nga Komuna, Pika 1 e vendimit thotë Të gjithë Drejtorët e Drejtorive, Udhëheqësit e Sektorëve dhe mbikëqyrësit e Komunës së Rahovecit, obligohen që të menaxhojnë paraqitjen e stafit në punë në përputhje me Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID-19 dhe se për këtë qëllim do të inspektohen nga organet kompetente.
Kurse pika 2 e vendimit thotë se Personat me sëmundje kronike dhe gratë shtatzëna lirohen nga paraqitja në punë dhe punëdhënësit udhëzohen që të krijojnë kushtet për angazhimin e tyre online nga shtëpia.
Ndërsa pika 3 thotë Ndalohen të gjitha tubimet publike siç janë dasmat dhe ahengjet familjare si dhe çdo formë tjetër e organizimit ku ka grumbullim të njerëzve, përveç rasteve të lejuara me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Bazuar në pikën 4 obligohen punonjësit dhe zyrtarët komunalë që gjatë orarit të punës të jenë të paisur me maska mbrojtëse dhe dezinfektues sipas udhëzimeve të Manualit për mbrojtjen nga përhapja e virusit COVID-19.
Pika 5 – Qytetarët të cilët hyjnë në objektin e komunës për të kryer shërbimet e tyre janë të detyruar që të jenë pajisur me maska dhe të respektojnë distancën, në të kundërtën nuk do të lejohen që të hyjnë në objekt për të marrë shërbimet e tyre.
Pika 6 -Obligohen përgjegjësit e institucioneve publike, ndërmarrjeve private dhe të çfardo subjekti tjetër të vendosin rregulla me shenja të dukshme në çdo hyrje të objektit (përfshirë këtu ndalimin e hyrjes pa maskë, obligimi për të respektuar distancën, etj) në përputhje me Manualin për mbrojtje nag përhapja e COVID-19.
Pika 7-Për të gjithë shkelësit e këtyre masave, përfshirë menaxhmentin e institucioneve publike dhe private që kanë për detyrë zbatimin e masave për mbrojtjen nga pandemia COVID-19, ndaj tyre organet kompetente obligohen që të shqiptojnë masat ndëshkimore konform Ligjit Nr. 07/L-006 për Parndalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës.
Pika 8- Për zbatimin e këtij vendimi do të kujdesen të gjithë Drejtorët e Drejtorive, Njësia e Personelit, punonjësit e administratës dhe subjektet tjera publike dhe private.
Pika 9-Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe ka fuqi juridike deri në marrjen e një vendimi tjetër.
A r s y e t i m
Meqenëse në javët e fundit kemi rritje të përshpejtuara të rasteve pozitive me COVID-19 në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, në bazë të rekomandimeve të dhëna nga IKSHP, të vlerësuara edhe nga Komiteti për koordiminimin dhe vlerësimin e situatës emergjente me corona virus COVID-19 për ndërmarrjen e masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19 si dhe në mbështetje të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 01/39 të datës 01.11.2020, është e domosdoshme marrja e masave të veçanta për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Nga sa u tha më lartë, u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi.