Ku mbeti kontrolli mbi çmime?
Veç gjërat elementare i blejmë, vaj, sheqer, miell… Nuk e di se si po ia dalim dhe nuk e di se si do ta kalojmë dimrin… Jeta kurrë nuk ka qenë më e shtrenjtë”, thotë Feride Hasani.
Kjo pensioniste jeton me familjen e saj 4-anëtarëshe në Prishtinë. Thotë se varen nga pensioni i saj dhe i bashkëshortit, që bashkërisht arrijnë vlerën e rreth 500 eurove.
Çmimet e prodhimeve dhe shërbimeve në Kosovë, si gjetkë në Evropë, kanë nisur të rriten vitin e kaluar. Fillimisht ka qenë pandemia e koronavirusit që ka shkaktuar çrregullime në tregje, e pastaj edhe lufta e Rusisë në Ukrainë.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma e inflacionit në vend, në muajin korrik, ka arritur në 14.2 për qind, nga 0.9 për qind sa ka qenë në korrik të vitit të kaluar.
Rritje të çmimeve kanë pësuar gati të gjitha produktet bazike, nga buka, vaji, sheqeri, mielli deri te pemët e perimet.
Paga mesatare bruto në Kosovë është 484 euro, ndërsa pensionet sillen nga 100 deri në 265 euro.
Këtë muaj, Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike ka propozuar tarifa të reja edhe për rrymën – deri në 88 për qind më të shtrenjta – për të përballuar çmimet e larta të importit.
Rrustem Ademi, punëtor në sistemin e arsimit, thotë se është koha e fundit që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa për mbrojtjen e konsumatorëve.
“…t’i ndihmojë qytetarët, ose të vendosë ndonjë çmim tavan, sikurse naftës… Jam lodhur duke vizituar çdo dyqan për t’u furnizuar me artikuj që janë në aksion [zbritje]”, thotë ai.
Çfarë ka bërë Qeveria?
Për adresimin e rritjes së çmimeve të produkteve bazë, Kuvendi i Kosovës ka miratuar më 4 korrik një rezolutë, të propozuar nga partia në pushtet – Lëvizja Vetëvendosje, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve nga vendosja e çmimeve të papërballueshme.
Disa ditë më vonë, më 20 korrik, Qeveria e Kosovës ka shtuar në agjendën legjislative të këtij viti Projektligjin për mbrojtjen e furnizimit me produkte themelore, i cili është dashur të miratohet në ekzekutiv më 10 gusht.
Por, projektligji nuk është miratuar ende dhe zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë thonë se ai është në konsultim publik.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ata nuk japin sqarime se çfarë masash do të ndërmerren, por thonë se ky projektligj “ka për qëllim rregullimin e masave mbrojtëse të furnizimit me produkte themelore të konsumatorëve në kohë të krizave ekonomike, si dhe mënyrën e zbatimit të tyre”.
As Zyra për Informim e Kryeministrit të Kosovës nuk i është përgjigjur interesimit të Radios Evropa e Lirë për ndonjë masë mbi çmimet e produkteve bazike.
Ujkan Bajra, profesor i ekonomisë dhe financave në Universitetin e Prishtinës, thotë se fakti që deri më tash nuk është materializuar asnjë masë, tregon se Qeveria nuk është angazhuar seriozisht.
Cila është zgjidhja?
Sipas tij, Qeveria do të duhej të ndërhynte për një periudhë të caktuar në politikat fiskale, siç është zbritja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).
TVSH-ja është një tatim që i ngarkohet konsumatorit në mallra dhe shërbime. Ligji për TVSH-në përcakton dy norma të tatimit: normën standarde 18 për qind, si dhe normën e reduktuar 8 për qind.
“Produktet bazë, të cilat ne i konsumojmë në baza ditore, shumica janë të ngarkuara me TVSH. Nëse Qeveria ndërhyn vetëm në shkallën e TVSH-së, për shembull prej 18 për qind në disa produkte në zero për qind, automatikisht çmimi për qytetarët do jetë më i lirë. Kjo është e drejtë ligjore”, thotë Bajra.
Por, Albulenë Kastrati, profesoreshë e ekonomisë në Kolegjin privat AAB në Prishtinë, konsideron se ndihma më e mirë për konsumatorët që të përballojnë rritjen e çmimeve, është ndarja e mjeteve financiare nga Qeveria në llogaritë e tyre private.
“Kompensimi direkt i konsumit të shkojë në xhepat e qytetarëve… Kjo ndihmon kalimin e momenteve të vështira nga rritja e çmimeve”, thotë Kastrati.
Në vazhdën e rritjes së çmimeve, Qeveria e Kosovës, në prill të këtij viti, ka ndarë nga 100 euro shtesë për të gjithë punëtorët e sektorit publik, privat, studentët dhe pensionistët, ndërsa ka dyfishuar shumën e asistencës sociale.
Ujkan Bajra thotë se nëse Qeveria vazhdon, sipas tij, të heshtë përballë rritjes së çmimeve, shkalla e varfërisë do të rritet, ashtu si edhe interesimi i qytetarëve për të braktisur Kosovën.
Të dhënat e fundit të Bankës Botërore për varfërinë në Kosovë janë të vitit 2017 dhe, sipas tyre, mbi 23 për qind e qytetarëve të Kosovës jetojnë në varfëri.
Qeveria e Kosovës, në muajin qershor, ka marrë vendim për caktimin e çmimit tavan vetëm për derivate të naftës. Tavani i çmimit të tyre përcaktohet çdo 24 orë. Maksimali për naftën është 1.84 euro, ndërsa për benzinën 1.75 euro.