Kufiri Kosovë-Shqipëri nuk u hoq më 2 prill siç u premtua, pengesë bëhet BE-ja
Dy prilli ishte quajtur si dita historike kur mes Kosovës dhe Shqipërisë më nuk do të kishte kufij.
Ky ishte premtimi i dy qeverive, asaj në Kosovë dhe Shqipëri, të cilat në fundin e dhjetorit kishin nënshkruar edhe marrëveshje, por tash Shqipëria është zmbrapsur nga marrëveshja për heqjen e kufirit, raporton KTV.
Në fund të marsit, kryeministri Ramush Haradinaj, kishte thënë se kjo ka ndodhur për shkak të disa obligimeve që Shqipëria ka me BE-në.
Qytetarët thonë se mes dy shteteve nuk duhet të ketë kufi, por e kanë humbur besimin tek institucionet.
Opozita në Prishtinë thotë se arsyeja se pse ka ngecur kjo çështje, është reagimi i BE-së.
Glauk Konjufca nga Vetëvendosje thotë të ketë pasur rastin edhe vetë të flasë në Bruksel e Prishtinë me aktorët ndërkombëtar që kanë thënë se heqja e kufirit përbën problem të madh.
Në kohën kur kjo ide u bë publike nga zyrtarët e lartë shtetërorë në Kosovë e Shqipëri, Serbia pati reaguar ashpër duke thënë se kështu po jetësohet Shqipëria e madhe.