30-11-2024

Kujdes! Kjo është kartëmonedha më e falsifikuar që qarkullon në tregun e Kosovës

Paratë false kanë vijuar të qarkullojnë në Kosovë edhe gjatë vitit të kaluar. Edhe pse, sipas Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, ka pasur rënie të numrit të parave të falsifikuara më 2022 në krahasim me vitin paraprak. Prerja 100 euroshe ishte kartëmonedha më e falsifikuar ndërsa 2 euro ishte monedha më e falsifikuar.

Specialisti i lartë për dokumente dhe dorëshkrime pranë Agjencisë kosovare për Forenzikë tha se në vitin 2022 kanë pasur rreth 800 kartëmonedha të falsifikuara dhe mbi 10 mijë monedha metalike.

“Në vitin 2021 kemi pasur gjithsej 5625 kartëmonedha të falsifikuara, ku kartëmonedha më e falsifikuar ka rezultuar kartëmonedha në vlerë 100 euro, pra 2.639 ka qenë numri i kartëmonedhës dhe verifikohet që ka qenë një nga kartëmonedhat më të falsifikuara, ndërsa sa i përket monedhave në vitin e njëjtë kanë qenë gjithsej 10 mijë e 589 dhe nga ky numër monedha më e falsifikuar rezulton monedha në vlerë 2 euro, shifra e të cilës është 9 mijë e 991 copë. Ndërkaq në krahasim me vitin 2022, është kartëmonedha 100 euro më e falsifikuara, pra gjithsej kanë qenë 356 copë, ndërsa monedha metalike ka qenë 2 euro, shifra e monedhave të falsifikuara në këtë vlerë është 8 mijë e 434 copë”, theksoi Selimaj.

Selimaj ka treguar për qytetarët edhe disa hapa që mund të vërejnë nëse paratë janë false pa pasur nevojë të përdorin aparaturë për të verifikuar.

“Duhet të shikosh se vlera e kartëmonedhës a përputhet me vlerën e urdhëresës që është lëshuar nga gjykata apo nga prokurori, pastaj ndiej, do të thotë ta prekësh me dorë se a është kartëmonedha origjinale apo jo, janë disa tipare që ndjehen përmes dorës, dhe kontrollo, i drejtohemi dritës normale dhe vlera e kartëmonedhës kur shikohet në dritë krijohet vlera e kartëmonedhës dhe shenja e ujorit është e dukshme në dritë… Tjetër tipar janë nën rrezet infra të kuqe”, shton Selimaj.

Sipas të dhënave policore, rastet më të shpeshta të falsifikimit të parave kanë raportuar bankat që përmes bankomatëve pranojnë para të falsifikuara, por edhe markete e pompa te derivateve.

“Policia në disa raste ka arritur të kap të dyshuar që tentojnë të venë në qarkullim para të falsifikuara dhe të konfiskojë shuma të caktuara parash të falsifikuara. Pra, nëse arrihet të zbulohen raste të tilla atëherë do të ketë më pak raste kur biznese të ndryshme e individ do të bijën pre e ‘falsifikimit të parave’. Raste më të shpeshta të falsifikimit të parave raportojnë bankat që përmes bankomatëve pranojnë para të falsifikuara, por edhe markete e pompa te derivateve”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga Policia e Kosovës.

Asnjë koment

Comments are closed.