24-11-2024

Kujdes se edhe budallenjtë bëjnë garë: kush është më budalla se tjetri

Akademik Esat Stavileci, tashmë i ndjerë, në ligjeratën përshëndetëse me studentët e Universitetit të Prishtinës, të dhënë para pensionimit të tij pesë vite më parë, tashmë kjo ligjëratë mjaft prekëse, por edhe motivuese për të gjithë ne, po konsiderohet si një nga ”testamentet” më të mira lënë për gjeneratat e reja. Akademik Stavileci ka lënë një thesar përplot ”testamente” të shkencës e urtësisë, i cili nuk rreshti së punuari për dije asnjëherë.

Një postim që po qarkullon në rrjetet sociale, thuhet se kjo është porosia që Akademik Stavileci u kishte lënë studentëve para pensionimit të tij.

Lexojeni të plotë ligjëratën “testament” të Akademikut Esat Stavileci:

”Nuk më mban të mërzitur sot vetëm malli për motrën, tashmë të ndjerë prej një jave, por edhe momenti i ndarjes nga një mjedis në të cilin kam kaluar gati një gjysëm shekulli të jetës sime. Prandaj, nuk mund të ndahem prej jush, pa iu lënë disa “porosi të jetës dhe të kohës”.

Për 45 vjet në Fakultetin juridik të Universitetit të Prishtinës (1 tetor 1965 – 1 tetor 2010) dhe në jetën time, kam mbajtur parasysh këshillën: në jetë bën vetëm atë që duhet të bësh, mos bën atë që s’duhet të bësh! E pranoj se kam lindur me fat. Fati më i madh i njeriut është të lindësh me fat! Me fat është ta meritosh lindjen! Kush e meriton lindjen, e ka të lehtë vdekjen!
Herët kam mësuar se kush jam dhe kush mund të bëhem. Nëse nuk di se kush je, nuk do të dish as kush do të jesh! Njeri ideal është ai që di se nuk ka njeri ideal!

Sot “po dal nga një derë” në të cilën kam hyrë para 45 vjetësh. Eshtë fat i madh të presësh të dalësh nga dera në të cilën ke hyrë! Nga të gjitha dyert më të mirat janë dyert e hapura; nga të gjithë çelësat janë ata që hapin të gjitha dyert! Në jetë nuk kam ndeshur në dyer të mbyllura. Kam përdor çelësat që m’i kanë hapur të gjitha dyert dhe për këtë ndihem krenar!

Pse po largohem? Përherë kam konsideruar se më mirë është të largohesh se të të largojnë! Eshtë pëlqyer një aforizëm i imi: ne shqiptarët sikur nuk dimë se kur është mjaft! Kam dashur që me shembullin tim të dëshmoj të kundërtën! Eshtë mjaft nëse “le pas vetes” ata që mund të trashëgojnë: dy asistentë doktorë shkencash në këtë fakultet dhe dy asistentë doktorë shkencash në Universitetine Europës Juglindore në Tetovë.

Kam ecur nëpër një rrugë të mesme, sepse shumë herët më kishin mësuar se mesi është i artë.
Sot po përshendetëm me ju dhe me institucionin në të cilin kam punuar 45 vjet. Po mbaj një fjalë që mund të kualifikohet në një ligjeratë lamtumirëse. Kush mban ligjeratë lamtumirëse duhet ta ketë merituar ligjëratën inauguruese.
Lartësia e bjeshkës “nuk matet me sy”, por “me këmbë!”.

Në jetën time kam ecur këmbë, që të “mos më mashtrojnë sytë!”.

Pyetja e parë me të cilën u jam drejtuar studentëve të gjeneratës sime të parë ka qenë: si pëlqeni t’ju flas: me gjuhën dhe stilin e rëndë të juristit që të më “konsideroni të mençëm”, pa më kuptuar asgjë, apo me gjuhën dhe stilin e lehtë të juristit, që “t’i kuptoni të gjitha”.

Besoj se më ka kuptuar shumica. Më vjen keq për atë pakicë që nuk ka dashur të më kuptojë!

Jeta është një mësim që “mund të mësohet”, por që “nuk mund të porositet!”.

Jeta, në të shumtën, i ngjanë tregëtisë: në të mund të investosh të gjitha, por edhe mund t’i humbësh të gjitha, nëse nuk ia del ta menaxhosh mirë. Përfundimi bëhet i qartë: më pak kënaqemi me atë që kemi arritur, se me atë në të cilën shpresojmë!

Shpresa është “pasuria më e madhe” e atyre që s’kanë asgjë! Varfëria dhe shpresa janë “nënë e bijë”: sa “merresh me bijën, e harron nënën!”.

Nuk e kam menduar se do të qëndroj aq gjatë në këtë profesion. Kjo ma kujton njërën prej barsoletave më të mira që kam dëgjuar ndonjëherë: kur një dyzetvjeçar e kishin dënuar me pesëdhjet vjet burg, i ishte drejtuar trupit gjykues me: faleminderës, nuk e kam ditur se do të jetoj aq gjatë!

Dyzet e pesë vjet në katedrën e profesorit mund të të mbajnë dhe të të ushqejnë vetëm studentët. Falenderimi im është për ta.

Ti je ai që të tjerët mendojnë për Ty, e jo ai që mendon për vetën tënde! Ju falenderoj nga zemra për konsideratën që keni shprehur për personalitetin tim dhe për punën time në mbarim të testeve tuaja në provimin e fundit.

Pranoj se më kanë shpëtuar lotët për gatishmërinë e një kolegeshe tuaj që kishte shkruar në fund të testit të provimit: jam tridhjetekatërvjeçare: do ‘ju kisha falur pesë vjet të jetës sime që të ligjëroni më gjatë dhe që të jetoni më shumë!

Asnjëherë nuk kam kaluar në faqën e dytë pa e mësuar të parën! Askush nuk ka mësuar të vrapojë para se të mësojë të ecë! Fjala më e mirë që e kam mësuar prej anglishtës është: step by step!

Ardhmeninë nuk mund ta përzgjedhësh si gjellën në meny! Po të ishte kështu, të gjithë do të kërkonin atë që nuk do të mjaftonte për të gjithë.

 

Vetëm ai që prej jetës nuk kërkon asgjë, “përfiton” prej saj! Në jetë duhet që të kërkosh shumë që të përfitosh pak. Askush nuk i ka përfituar të gjitha. Mos jetoni pa një motiv, sepse ai që jeton pa motiv “mund edhe të të mos jetojë!”.

Të ecësh me kohën do të thotë të ecësh përpara dhe të mos kthehesh prapa.

Ç’kuptim ka nëse ecni në drejtim të gabuar?

Jam përpjekur që të mos e gaboj rrugën. Kam ecur me të tjerët, e jo kundër të tjerëve. Kush ecën vetëm, e gabon rrugën. Kush ecën me të tjerët, gjen rrugë të reja!

Ne më shumë duam se ç’bëjmë, prandaj gabimisht mendojmë se jeta ”na mbetet borxh” për atë që nuk bëjmë.

Sillemi me padrejtësi ndaj jetës. Gjysmën e jetës e përmbushim me dëshira, e gjysmën tjetër me paknaqësi për mospërmbushjen e tyre.

Ambicia më e madhe e rinisë është “që mos t’i ngjajë gjeneratave të mëparshme”, por që “t’i vjelë të mirat e tyre!”.

Mos synoni atë që ndalohet më shumë se atë që lejohet!

Përmbajuni këshillës: asnjëherë mos e bën hapin, përpara se ta bësh hapin! Kujdes se edhe budallenjtë bëjnë garë: kush është më budalla se tjetri! Edhe budallenjtë bëhen rresht: u prin budallai më i madh!

Mundimi më i madh është “mundimi me fjalët”. Të flasësh apo të heshtësh? Asjnëherë mos hesht, kur duhet të flasësh; përherë hesht kur nuk e ke fjalën!

Njerëzit flasin shumë, sepse “fjalët i kanë falas!”. Prandaj, flis tamam!

Prej njeriut qe flet shumë, “mos u tremb”. Trembu prej njeriut që “mendon shumë”.

Aftësinë nuk mund ta fshehësh, si “diellin pas kodrës”.Por, në mungesë kujdesi, “mund ta ndotësh”.

Alarmuese: njerëzit duhet “t’i frikësohen kohës” kur majmunët mund të kontestojnë se ata e kanë prejardhjen prej tyre!
Shoqërohuni me më “të vjetrit”, që të mund të mësoni më shumë; mos “u shisni mend” me të “vegjëlve”, që të dukeni më të mëdhenj!

“Ruajuni” politikës: në politikë nuk vlen “të dua se kam interes”, por “kam interes, prandaj të dua”.

Nuk jetoj në iluzione se e tëra që kam bërë është e kryer dhe e përkryer. Jam përpjekur që punë time ta përshkojë ndershmëria: “punës së ndershme nuk i duhet drita, edhe nëse dikush përpiqet ta errësojë”.

Ka një mendim të artë: bëjnë punë të pagabueshme vetëm ata që nuk punojnë!

Në jetë nuk duhet të lejosh që të shurdhohesh nga duartrokitjet, sepse më vonë nuk do t’i dëgjosh fërshëllimat. Unë po ik përpara se “të shurdhohem!”.

Nuk kam pëlqyer që “të dashurohem në vetveten”. Kam pëlqyer të gjithë numrat e tjerë, përveç njëshit, prandaj asnjëherë nuk i kam dhënë vetës dhjetëshe.

Kujdes: asnjëherë mos e vlerësoni vetën me notën më të lartë.

Asgjë nuk kam mësuar të tjerët, përpara se ta mësojë veten time. Ju lutem, mësoni dhe mos mendoni se i dini të gjitha.

Në jetë kam pëlqyer që të mos prishëm me të tjerët, pa ju ndalua të tjerëve që “të prishën me mua”. Eshtë nder i madh që nuk ka njeri me të cilin nuk flas.

Thuhet se “njeriun e ndershëm nuk e urrejnë as të pandershmit!”.

Ta ruash nderin në politikë është punë e vështirë. Eshtë politikan i mirë vetëm ai që “bën gjumë të rahatshëm!”.

Profesion më të mirë kam konsideruar atë që “të mësosh të tjerët” atë që ke “mësuar për veten”.

Përherë kam konsideruar se është më lehtë të pyesësh se sa të përgjigjesh. Në jetë kam pyetur shumë të tjerët, por më kanë pyetur edhe më shumë.

Kam parapëlqyer “përgjigjet figurative”.

Kur më kanë pyetur për “procesin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës”, jam përgjigjur se procesi do të jetë më kompleks se që “po paraqitet”; më i vështirë se që “po mendohet” dhe më i gjatë se që “po parashikohet”.

Jemi vonuar shumë me procese zhvillimore, sepse kemi shpresuar shumë naivisht se të tjerët do ta bëjnë punën tonë, pa vra mendjen se “më mirë se me duart e huaja ndërtohet me duart tua!”.

Kemi hedhur hapin, pa fikësuar qëllimin e madh, prandaj kemi bërë gabime në hapa. Pastaj, jemi lëshuar në vrap, pa pyetur se ç’vlerë ka të vraposh, nëse je në rrugë të gabuar.

Shumëkush e ka dashur angazhimin tim në vendimmarje politike. Kur më pyesnin ku është Esat Stavileci , përgjigjesha me këngën e Ardit Gjebresë: “Ja ku jam!”.

Kur më pyesnin për fatin e Mitrovicës, përgjigjesha : “Nuk e di këngën e Shkurte Fejzës, Jo nuk ndahet Mitrovica!”.

Kur më pyesnin për decentralizimin përpara se të vendosej për statusin, përgjigjesha:

“Nuk vendoset karroca para kalit”.

Kur më pyesnin se çfarë e ardhme po i përgatitet Kosovës, përgjigjesha se çfarë e ardhme nuk do të dëshiroja t’i përgatitej: që “drejtësia e vonuar t’i dalë drejtësi e cunguar”.

Më në fund, kur më pyesnin se kur do të bëhet mirë me shqiptarët, përherë kam thënë:”nesër”.

E nesërmja është e juaja dhe mos ia falni askujt tjetër!.

Herët e kam kuptuar se koha është vërtet ar. Planifikoje kohën, sepse “vetëm me kohë mund të fitohet koha!”.

Mos harro se ora nuk është vetëm “për ta mbajtur”, por edhe “për t’iu përmbajtur!”.

Kam qëndruar jashtë, por jo larg politikës. Filozofia ime politike është: nuk jam me asnjërin, sepse dua që të jem me të gjithë!
Kujdes: në politikë të gjithë e pësojnë, dikush më herët e dikush më vonë!

Kam parapëlqyer të jetoj jo nga drejtësia, por për drejtësi.

Më kanë thënë pse nuk bëhesh avokat që të fitosh më shumë, jam përgjigjur pikërisht për atë.

Nuk ka padrejtësi më të madhe se kur drejtësia shtrembërohet.

Ndërgjegja e pastër e juristit ia “zbardhë fytyrën drejtësisë”: juristi do të duhej që “për çdo ditë ta pastrojë ndërgjegjën, po sikurse që e lanë fytyrën”.

Për disa procese politike jam mbajtur i “rezervuar”. Më ka dalë përpara thënia kineze: edhe nëse e mendon, mos e thuaj; edhe nëse e thua, mos e shkruaj; edhe nëse e shkruan, mos e nëshkruaj.

Por, kam pasur parasysh edhe këshillën tjetër: “Tradhtitë më të mëdha bëhen me heshtje: ujërave që nuk ecin dhe njerëzve që heshtin, mos ua falë besimin!”.

Prandaj, nuk kam heshtur në ndodhitë për ne dhe rreth nesh.

Në një fjalë të urtë thuhet se “ai që ia di rendin heshtjes, duhet ‘ia mësojë rendin edhe fjalës”.

Jam përpjekur që të mbaj një qëndrim. I vetmi njeri që mund të ndryshojë mendjen është ai që ka një mendje! I vetmi njeri që e mban fjalën është ai që nuk e jep!

Fjalën publike e kam mbështetur në argumente. Argumenti është sikur bora: “sa më butë që bie, aq më shumë zë vend”.

Në paraqitjet e mia nuk kam mbjellur skepticizëm. Te ne njeriu realist lehtësisht kualifikohet pesimist.

Cili është dallimi midis optimistit dhe pesimistit?

Përherë kam pasur një përgjigje: optimisti nuk mban as rrip dhe as krahosha në pantollonat e tij. Pesimisti mban edhe rripin edhe krahoshat. Unë, për çdo rast, mbaj rripin, i kam hequr krahoshat!

Kam folur dhe kam shkruar për shtetin, për Shqipërinë dhe për Kosovën.

Më kanë pyetur se çfarë kanë të përbashkët Shqipëria dhe Kosova?

Jam përgjigjur shkurt: Shqipëria dhe Kosova kanë të përbashkët paaftësinë: në Shqipëri “për ta mbajtur shtetin”; në Kosovë “për ta bërë shtetin”.

Kam tërhequr vërejtjen se shteti “nuk është mallë që shitet në treg”.

Kam porositur:

(1)Në një vend ku qeveriset pa demokraci, “luhet me legjitimitet”.

(2)Zgjedhjet vendosin se “kush do të qeverisë”, e jo “çfarë do të jetë qeverisja”.

(3)Nuk janë zgjedhje ato kur “ata që do të zgjidhen, i zgjedhin ata që do të zgjidhen”.

(4)Vetem qeverisja e mirë, e bën “demokracinë të mundshme”.

Po e mbyll fjalën time me pyetjen: sa kohë më është dashur që ta përgatisë këtë ligjeratë?

Shkurt: tërë jetën!

Mbani në mend: “të vdesësh i ndershëm është më shumë se të jetosh i ndershëm”.

Po e përsëris porosinë e parë: Në jetë bën vetëm atë që duhet të bësh, mos bën atë që s’duhet të bësh!

Prishtinë. Fakulteti Juridik 8 tetor 2010./Kultplus

 

Asnjë koment

Comments are closed.