Imazhet e krijuara nga lëmoshëkërkuesit, shumica prej të cilëve fëmijë, që janë të përditshme në qendrën e Prizrenit “Shatërvan”, duket se do të mbesin edhe një kohë, pavarësisht se për shumë qytetarë, skena të tilla tashmë janë bërë të bezdisshme.
Derisa qytetarë dhe përfaqësues të biznesit në qendrën e qytetit ankohen për shqetësimet e krijuara nga lypsarët, Policia dhe autoritetet lokale në Prizren fajësojnë ligjin, duke shprehur optimizëm se me ndërrimin e tij, do të ndryshojë edhe gjendja në sheshin kryesor të qytetit, që shpesh ngjan me ndonjë kamp të lypsarëve, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Njëri nga afaristët prizrenas, Rafet Bushati që është pjesë edhe e Komitetit Komunal për Siguri në Bashkësi, ka thënë se deri tash shumë pak është bërë për lëmoshkërkuesit, ndërsa sipas informatave fëmijët që operojnë këtu janë nga dy familje, njëra nga Prizreni, e tjetra nga Gjakova.
“Kam propozuar kujdestari të policisë në zonën qendrore, për të penguar lypsarët të operojnë, e sidomos fëmijët e mitur të shtrihen nëpër kubëzat e rrugës, ndërsa shqetësimi më i madh për lokalet afariste janë fëmijët me darabuka”, ka thënë ai.
Zyrtarët policor disa herë kanë njoftuar për plane operative e aksione ditore për largimin dhe procedimin e lypsarëve, ndërsa ata nga Shqipëria janë deportuar me vendim të gjykatës kompetente. Në të shumtën e rasteve, fëmijët që kërkojnë lëmoshë janë nën moshën 14 vjeç. Operacione për largimin e tyre ka pasur që nga 2016-ta, përfshirë edhe ato gjatë muajit gusht e tetor të këtij viti.
Zv/komandanti në stacionin e policisë “Alfa” në Prizren, Vebi Zekolli, ka thënë ndërkaq se mosha e lëmoshkërkuesve shpesh ua lidh duart policisë. “Për këtë po mundohemi të gjejmë zgjidhje me Qendrën për Punë Sociale, të cilët janë përgjegjës”, ka thënë ai.
Në këtë kontekst, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, thotë se në këtë drejtim kanë pasur bashkëpunim me policinë, po pas largimit lëmoshkërkuesit janë rikthyer. “Presim ligjin sikur në shtetet tjera, ku nëse në 3 raste kapet i njëjti fëmijë duke kërkuar lëmoshë, atëherë fëmija do të merret nga shteti”, ka thënë ai.
Referuar informatave dhe situatës në terren, policia mendon se ka rënie të numrit të lypsarëve, por megjithatë shprehet se edhe numri aktual i tyre nuk është i vogël.
Në këtë kontekst, njoftohet se edhe Njësia Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore në Prizren ka pasur disa reagime e trajtime të këtyre rasteve, në aspekt të keqtrajtimit apo braktisjes së fëmijëve (në rastet kur prindërit kanë shtyrë apo kanë kryer lypsari së bashku). Sipas policisë, vitin e kaluar nga kjo njësi janë iniciuar 9 raste./GazetaePrizrenit.net/