Kur pensionohesh në Kosovë …
Shkruan: Qazim Morina / Prizren
S’di a ka ndonjë vend tjetër sikur në Kosovë, ku ditën që mbush 65-vjet, kompjuteri të largon nga puna (sistemi). “Të hedhin”… Në arsim, madje kjo ndodh, qoftë edhe një javë pa përfunduar viti shkollor, ndonëse qëllon të jesh edhe kujdestar i maturantëve.
Fati i kuadrove të dëshmuara të këtij vendi, disa prej të cilëve madje kanë dhënë kontribut kombëtarë, të ngjanë me një produkt, që hiqet nga sirtari, sapo t’i ketë skaduar afati.
Në vend se kuadrot e tilla të merren paraprakisht për këshilltarë, (qoftë edhe të mësimdhënësve të rinj), këtu pothuajse “flaken…”, ndërkohë që nuk ka as jetë të organizuar për pensionistë.
Përpos, që pensioni nuk është i mjaftueshëm për një pleqëri të dinjitetshme, e këtillë ngjan edhe forma e përfundimit të pjesës aktive. Personalisht mendoj se njëra ndër punët më të mira që ka bërë UNMIK-u, është përfshirja në skemën e pensioneve të të gjithë pleqve në Kosovë.
Sindikata e Arsimit, kohë më parë ka kërkuar të nxirret një vendim që punëtorët e arsimit, të cilët kanë arritur moshën të mos pensionohen, deri në përfundim të vitit shkollore apo së paku të gjysmëvjetorit.
Kujtoj disa profesorë të dëshmuar në Prizren, si: Rushit Rexhbeqaj, Sabahudin Cena, Yll Zajmi, Hajdar Mallaku, Sabri Bresa, Azize Xhejshylmedine, Nimete Vrenezi, Hajdar e Hasan Gashi, Drita Ajazaj, Halit Buzhala, Habib Ahmeti, Nuhi Bytyçi, Pakize Kiseri, e shumë e të tjerë.
Në mjekësi është pak më ndryshe, meqenëse mjeku mund të punojë në ordinanca private, por a duhet shteti “t’i mbajë afër kuadrot e dëshmuara”?!
Në këtë kontekst do përmendur edhe disa mjekë e intelektualë si: Selman Muçaj, Orhan Kubati, Selami Sylejmani, Hatim Baxhaku, Shyqeri Jëlliqi, pastaj Baki Hajdari, Nijazi Shala, Xhavid Duraku, e shumë të tjerë.
Një sjellje e tillë ndaj profesionistëve, të cilët kanë lënë gjurmë në fushat e tyre, është një mesazh i keq ndaj gjeneratave të reja. Pra, “kjo ju pret”, e kur dihet edhe mungesa e kushteve të punës dhe perspektiva e zymtë për edukim specialistik, atëherë s’mbetet gjë tjetër, veçse largimi nga Kosova!
Sigurisht nga këto edhe dita-ditës, po mbetemi pa më të mirët, disa prej të cilëve përgatiten këtu, me vështirësitë e familjeve, por kërkojnë mbijetesë e dinjitet nëpër botë!
Me sa jam i informuar, Amerika ndonëse aq e zhvilluar, nuk heq dorë nga profesionistët, vetëm pse e kanë mbushur moshën e pensionit.
Me një vendim të mëhershëm të Qeverisë, çdo pensionisti që ka 15 vjet përvojë pune në mënyrë automatike i njihet përvoja shtesë e punës prej 25 vitesh. Këtu është një paradoks, pasi këtë kusht nuk e përmbushin disa, që kanë punuar në arsim, gjatë sistemit paralel të Republikës së Kosovës, në vitet e 90-ta. Për këtë ata edhe nuk kanë mundur t’i marrin benificionet e parapara. Këto ndërkaq i kanë shfrytëzuar arsimtarët nga komunitetet në Kosovë, të cilët në atë kohë punuan në kuadër të Ministrisë së Arsimit të Serbisë.
Ndërkaq edhe më ndryshe është tek gjykatat për shembull. Atje një gjykatës apo prokuror (qoftë edhe shqiptar) që dikur para luftës ka dënuar shumë djem apo vajza, vetëm pse kanë shkruar diku inicialet “K.R” ( Kosova Republikë ), tash jo vetëm që është Gjykatës (Prokuror) i Republikës së Kosovës, por merr edhe një pagë të majme, gati më të lartën në Republikën e Kosovës. Mbase mbi bazë të saj, gëzon edhe benifitet e pensionit.
P.S.
Shkrimet e opinioneve janë shprehje e mendimit të lirë, dhe jo domosdoshmërisht përfaqësojnë edhe qëndrimin e portalit “GazetaePrizrenit.net”.