Kurrikulumi i fshehur dhe ndikimi i tij në arsimim dhe edukim moral
Duke reflektuar për një periudhë të gjatë mbi gjendjen kaotike të arsimit në Republikën e Kosovës po parashtroj një reagim timin si psikolog, profesor, qytetar dhe si prind. Kjo nuk lidhet me politikë bërjen e muajve të fundit por në të tashmen ka ndikuar e kaluara afatgjatë dhe atmosfera e vjetër duhet sa më shpejt të ndërpritet e të mos vazhdojë.
Shkruan: Batjar Halili
Një ndër pikat parësore që sot mungon në shkollat e Kosovës është mungesa e zbatueshmërisë së kurrikulumit të fshehur në edukim. Pasi këtë e njoh dhe e kam parë nga afër problematikën për të cilën po e ngre këtë shqetësim.
Ky kurrikulum tregon atmosferën e përhapur morale në shkolla. Kjo atmosferë tregon sa shkolla ka rregulla, sa klasat janë funksionale, sa kanë komoditet, aktivitetet shkollore dhe jashtë shkollore, orientimi moral i punëtorëve dhe mësueseve si dhe i administratës. Edukimi moral nuk duhet të mësohet vetëm përmes përmbajtjes apo lëndëve shkollore, por më shumë përmes strukturës organizative të shkollës. Ndërkohë që në shkollat tona situata është e rëndë, ku kjo atmosferë është shumë e keqe, ndodhemi në një situatë kaotike, për të cilën askush nuk e di se ku është nisur e ku do përfundojë.
Duke qenë brenda kësaj situate, që të jep përshtypjen se nuk ka rrugëdalje, vetvetiu mund të shtrohen pyetjet: Si mund të reformohet shkolla nga brenda – jashtë, kur struktura e brendshme ku duhet të nisë reformimi është vetë e pareformuar? Si mund të bësh reformim shkollor, kur nga 30 deri 32 nxënës në çdo klasë 24 janë të pranuar më kriter, kurse të tjerët janë të gjithë të dërguar nga partia ose nga drejtorët e shkollave, të cilët janë njerëz pa pikë dinjiteti njerëzor? Si mund t’i bësh kompetent të rinjtë dhe të nxitësh aftësi për jetë, kur ka disnivel shumë të madh të nxënësve në klasa?
Si mund të realizohet kurrikulumi i fshehur ku edhe ata që kanë bërë trajnimet e mësimdhënësve kanë qenë mësimdhënës me shumë pak ose aspak formim pedagogjik dhe psikologjik? Ka pasur nga ata që vinin nga fusha e matematikës dhe edukatës fizike. Si mund të realizohet një kurrikulum kur klasat janë hirearkike?
Nga ana tjetër për 11 vite punë si profesor kam vënë re se shumë pak klasa janë të pajisura me projektor, pa laborator, klasa të papastërta, tabela të vjetruara, ndërkohë që në shumë shtete të botës për konkretizimin e orës mësimore përdoren markerat dhe tabela të bardha të reflektueshme, dhe nuk është aspak problem për t’u blerë këto mjete të konkretizimit sepse fondet e shkollave janë të mjaftueshme dhe shkumësi ka kohë që është hequr nga përdorimi. Interneti në shkolla nuk është aspak në shërbim të profesorëve në fushën e dijes dhe ngritjes së kapaciteteve të nxënësve për një të ardhme si hulumtues.
Xhon DUI një psikolog i fushës së edukimit thotë në librin e tij mbi edukimin se “… shkollat, si dhe familja janë mjedis për zhvillim moral. Mjedisi i shkollës, Udhëheqësit dhe mësuesit shërbejnë si model të sjelljes etike ose jo etike që ndikojnë drejtpërdrejtë në psikikën e nxënësve”.
Kjo që Dui thotë nuk vlen aspak për shkollat tona, sepse këtu vonë e kam kuptuar që lufta për të qenë drejtor i shkollës nuk bëhet me deshirën për të bërë reforma, për të realizuar një kurikulum që të ngriten të rinjtë, si në nivelin moral ashtu dhe në dije. Këtu e gjithë përpjekja bëhet për të zënë dashnore, për të ruajtur vendin e punës, disa për të rahatuar me pula e qingja ata që janë vasalë dhe që bëhen “të dëgjueshmit” disa i ngrenë në pedistalin më të lartë ata-ato që japin dije e moral, por që kanë bërë nga 10 vite për të mbaruar një fakultet dhe dija dhe morali i tyre nuk janë aspak në proporcion të drejtë me vendin e punës që mbajn e kjo ndodh derisa bjerë perandoria e “Sulltanit” (drejtorit), por një pjesë e tyre janë aq pa kurrizor dhe të trajnuar mirë, saqë kushdo që bëhet drejtor ata aty janë, për të fituar nga tenderët e ekskursioneve, për të fituar nga fondi i shkollës ose për të mbrojtur vendin e tyre të punës, të cilin e kanë marrë dhe e mbajnë në mënyrë të pamerituar, por aspak për t’i shërbyer institucionit të dijes.
Shumë mësimdhënësve u janë fshehur trajnimet, janë shantazhuar, dhe shpesh u bëhet presion në punë vetëm e vetëm pse nuk janë nga ata “të dëgjushmit” e eprorëve të tyre e disave u mohohet edhe ajo për të cilën janë meritor, disa të tjerëve edhe u shtohen vitet të punës pa i patur ato, kjo ndodh në bazë të nivelit të servilitetit ose aftësisë për të mbajtur si femër në kurriz.
Si mundet të realizohet kurrikulumi i fshehur kur në shkolla akoma ka mësimdhënës pa kualifikimet përkatëse. Dhe këtë gjë, nëse nuk e di Drejtoria e Arsimit, e din ose e fsheh këtë fakt drejtoria e shkollës, dhe atë përmes “skemave të tyre të murosura” të mashtrimit dhe elozheve të sofistikuara vazhdojnë të mbijetojnë brenda institucionit të dijes ku nuk gjendet mbeshtetje as në Udhëzime Administrative.
Shumë nga këto probleme janë pjesë e asaj që quhet kurrikulum i fshehur dhe parakusht për të hyrë në Kurrikulën e zbatueshme në mësimdhënie dhe mesimnxënie, që del nga Kurrikula bërthamë e Republikës së Kosovës.
Ndaj në fund dua të apeloj tek udhëheqësit e DKA – ve që duhet të goditet e keqja e kaluar që ka lënë gjurmë në të mirën e pamundshme të filluar. Dhe të sugjeroj se nëse neglizhohet çdo proces i kaluar është determinim i keq për të ardhmen.
( Autori është profesor i Psikologjisë në gjimnazin “Gjon Buzuku” të Prizrenit )