Kursimet pensionale të kosovarëve pësuan rënie në 2018-n
Bordi i këtij institucioni vendosi të mos plasoj fonde të reja në tregjet financiare por t`i orientonte investimin e mjeteve në Kosovë. Fondi i Kursimeve Pensionale ka filluar vitin 2018-të me mjetet nën menaxhim prej 1,634,648,056 euro dhe e ka përfunduar atë me 1,681,148,925 ose me 46,500,869 euro më shumë.
Gjatë këtij viti FKPK-ja po ashtu ka shpaguar shumën prej rreth 31.2 milionë euro për kontribuuesit e pensionuar. “Perfomanca e investimeve gjatë vitit 2018 ishte -5.2%, që erdhi pas kthimit në investime prej +6.48% për vitin 2017. Po ashtu duhet sqaruar se deri në vitin 2018 ishin 9 vjet të rezultateve pozitive të njëpasnjëshme nga investimet me një kthim bruto të akumuluar prej 464.8 milionë euro”, thuhet në kumtesën e FKPK-së
Tutje në kumtesën e FKPK-së thuhet se Trusti është institucion që investon në afatgjatë dhe kur merren parasysh periudhat e dy a më shumë vjeçare, performanca e investimeve përherë del pozitive. Thënë ndryshe, sa më afatgjatë që shqyrtohen investimet e FKPK-së, aq më lartë rezulton performanca mesatare vjetore e anualizuar e saj. Kështu, për 10 vjetët e fundit-duke përfshirë performancën e vitit 2018-del se FKPK-ja ka pasur kthim mesatar pre 4.89 për qind.
Për dallim nga viti i kaluar, javën e parë të 2019-s kthimi nga investimet ishte pozitiv. “Për të demonstruar vlerën e investimeve të tanishme, por edhe luhatshmërinë e zakonshme të tregjeve, vetëm në javën e parë të janarit 2019 kthimi bruto nga investimet e FKPK-së ka qenë pozitiv për rreth 20 milionë euro”, tregon FKPK.
Faktorët përcaktues të performancës në vitin 2018
Performanca e FKPK-së për vitin 2018 e reflekton faktin kryesor se të gjitha tregjet financiare e përmbyllën negativisht këtë vit.
Deri në fund të tremujorit të tretë 2018 kthimi bruto nga investimet e FKPK-së kishte qenë rreth +22 milionë euro, periudhë gjatë së cilës edhe tregjet financiare kishin qenë me kuota pozitive.
FKPK numëron arsyet të cilat ndikuan në rënie të fortë të tregjeve financiare
“Tremujori i katërt i 2018-s pati një rënie të fortë të tregjet financiare për disa arsye kryesore:
Lufta e ashpër tregtare mes dy ekonomive më të mëdha ShBA-së dhe Kinës ( e pa precedentë deri atëherë), e shoqëruar kjo me deklarata të ashpra të vazhdueshme të administratës amerikane ndaj çështjes tregtare dhe humbja e kongresit kundrejt demokratëve, e cila krijonte paqartësi për tregjet financiare.
Politika shtrënguese monetare të Bankës Qendrore të ShBA-së si dhe paralajmërimi për rritje të tjera të normës bazë të interesit në vitin në vijim.
Paqartësi rreth BREX-it dhe buxhetit fiskal të Italisë.
Ngadalësimi i rritjes ekonomike globale, me theks të veçantë i ekonomisë aziatike.
Korrigjimi masiv i vlerës së aksioneve botërore, që solli kështu përfundimin e ciklit 10 vjeçarë me kthime pozitive vjetore në tregjet e aksioneve.
FKPK tregon se faktorët e sipërpërmendur bën që luhatshmëria në indekset kryesore botërore të jetë e madhe dhe ato të përfundojnë vitin 2018 në territor negativ, fakt që u reflektua edhe në performacën e FKPK-së.
Megjithatë, falë strategjisë dhe vendimeve të bordit Drejtues, ku pjesa dërmuese gjatë vitit 2018 u bënë me fletobligacionet qeveritare të Kosovës), performanca e FKPK-së ishte më e amortizuar sesa e indekseve kryesore globale.
Portofoli i FKPK-së në vitin 2018 është karakterizuar me stabilitet dukshëm më të qëndrueshëm se tregjet kyçe të aksioneve. Risku i matur portofolit FKPK-së (5.0%) ishte përafërsisht tri herë më i vogël sesa i indekseve kyçe të tregut të aksioneve.
Reduktimi i riskut dhe i investimet në Kosovë
Tutje në dokumentin e FKPK thuhet se duke analizuar retorikën e luftës tregtare mes ShBA-ve dhe Kinës, dhe duke qenë të vetëdijshëm për pasojat e saj, Bordi Drejtues i FKPK-së nga fundi i vitit 2017, e përgjatë gjithë vitit 2018, mori vendim që mos të plasonte fonde të reja në tregjet financiare ndërkombëtare, por t’i orientonte të njëjtat në Kosovë.
Për herë të parë FKPK-ja në fund të 2018-s pati rreth 300 milionë euro të investuara në Kosovë, ose rreth 20% të totalit të mjeteve. Kjo u arrit si pjesë e rritjes së kërkesës për fonde nga Qeveria e Kosovës- në të cilat FKPK-ja ka marrë pjesë sistematikisht në secilin ankand, por edhe nga bankat në vend, që e rritën interesin për thithjen e fondeve nga FKPK-ja.
Në përgjithësi mjetet me risk më të ulët- keshi, depozitat me bankat lokale, letrat me vlerë të Kosovës dhe tregu i parasë ishin rreth 514 milionë euro ose 30.6% a totalit të mjeteve në fund të 2018-s, përderisa një vit më parë ishin 195.3 milionë ose 12% e mjeteve.
Konkluzion i FKPK-së
Bordi drejtues i këtij institucioni konkludon se rënia ishte pashmangshme.
“Bordi drejtues vlerëson se performanca e investimeve të FKPK-së, kur merren parasysh kushtet tejet sfiduese me tregjet financiare: me dhjetorin më të keq në histori të tregjeve financiare dhe momentin kur ndodhi kjo rënie, ishte e pa shmangshme në terma të performancës vjetore. Kjo meqë qysh në javën e parë të 2019-ës çereku i kësaj rënie është rikuperuar”, konkludon FKPK.
Krahas kësaj, FKPK përsëritë se nga mosha mesatare e kontribuueseve të FKPK-së, prej 41 vjeç, mjetet investohen në këndvështrimin afatgjatë. Pavarësisht performancës negative të një viti të vetëm strategjia investuese në fuqi do t’i arrijë rezultatet e dëshiruara për të gjithë kontribuuesit në periudhë afatgjatë-sikurse është dëshmuar nga performanca komulative-pozitive e investimeve të FKPK-së prej themelimit e deri në fund të 2018-s./kallxo.com