Kryeministri kosovar, Albin Kurti, ka vizituar punëtorinë e artistit, tashmë të ndjerë, Shaqir Hoti.
Ai ka lartësuar krijimtarinë e tij artistike të Bacës Shaqë, siç e quajti, duke thënë se ka tejkaluar zejen me performancat e tij, njofton Klan Kosova.
“Mishërimi më i veçantë i trashëgimisë sonë kulturore, muzikore e shpirtërore, figurë që me punën e tij si flautisti i parë i Kosovës, multiinstrumentist i një sërë instrumentesh muzikore folklorike dhe me tela, i shquar si interpretues në premierën e këngës “Baresha” me figurën tonë historike të këngës Nexhmie Pagarusha, me qindra performanca me muzikantë të shumë zhanreve, me mbi 180 këngë origjinale, mbi 200 instrumente origjinale dhe shumë risi të shkëlqyera në krijimin e instrumenteve folklorike”.
“Veprimtaria e Shaqir Hotit ishte komplekse dhe me shumë substancë. Ajo i kapërceu kufijtë e zejes, performancës dhe interpretimit të zakonshëm. Shaqir Hoti ishte vetë narrativa e folklorit tonë ku me përvojën e tij profesionale dhe personale në tërë ekosistemin tonë kulturor, veçanërisht në muzikë, i dha frymë njerëzore veprimtarisë së tij”.
Kurti ka shkruar se Hoti me instrumentet dhe veprat e tij ai përcolli rrëfime njerëzish, tregime folklorike, idioma të veçanta të natyrës së folklorit, humor popullor, miqësi dhe urtësi të rrëfimeve dhe gurrës sonë popullore për shumë e shumë gjenerata që do të vijnë.
“Ne i detyrohemi kontributit të tij të pashoq. Ne kurrë nuk do të mund të bëjmë aq sa ka bërë ai, por së paku mund të bëjmë pjesën tonë për të mbrojtur, për të ruajtur dhe për të përçuar punën e tij brez pas brezi”.
Instrumentalisti nga Rogova e Hasit, vdiq më 10 prill të këtij viti.