Kurti bën thirrje për miratim të projektligjeve në seancën që e thirri partia e tij: Koha nuk është burim i ripërtërishëm
Kryeministri në detyrë dhe deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka marrë fjalën në seancën e sotme të thirrur nga nënshkrimet e deputetëve të Vetëvendosjes, e cila u konsiderua e kundërligjshme dhe kundërkushtetuese.
Ai në fillim foli për komisionet e përhershme parlamentare, që partia e tij po kërkon të themelohen pa pasë një qeveri të votuar.

“Nga emri i tyre, ky lloj komisioni ka rol të vijueshëm që ruhet e nuk ndërron, prandaj edhe quhen të përhershme. Në njëfarë mënyre, shteti i pavarur si republikë parlamentare, po na thotë: pavarësisht dinamikave që mund të jenë katër komisione parlamentare i kam kyçe që të ekzistojnë dhe të punojnë. Pra, janë të përhershme pikërisht për situatat e zakonshme dhe jo të zakonshme janë apo s’janë qeveritë në detyrë, në dorëheqje e fuqiplotë. Ato janë komisione funksionale në funksion të ministrive që potencialisht mund të krijohen prej një qeverie që legjislativi i voton. Ato prandaj edhe quhen komisione funksionale, por katër sosh janë të përhershme”.
Gjendja tani është esenciale për republikën tonë, tha Kurti.

“Kemi qenë ndër shtetet e para që kemi finalizuar agjendën e reformave dhe e kemi arritur në afatin e parë të vendosur nga KE”.
Megjithëkëtë, ai tha se u vonua pjesërisht edhe nga vonesat e realizmit të agjendave të reformave të disa nga shtetet tjera përfituese.
Më pas, Kurti kërkoi që të votohen pikat e propozuara në rendin e ditës të kësaj seance.

“Ju ftoj sot që të votojmë miratimin e projektligjeve që të fillojmë të përfitojmë nga ky instrument. Koha nuk është burim i ripërtërishëm, kalon në të kaluarën në pakthim. Çdo vonesë e mëtutjeshme e komplikon dhe e rrezikon si përfitimin ashtu edhe zbatimin e fondeve”.
