Kurti dhe Murati vizituan fabrikën lëngjeve “Aronica” në Prizren
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, vizituan sot fabrikën për prodhimin e lëngjeve 100% të frutave “Aronica”, në Prizren, pjesë e kompanisë Arti Fruit.
“Kjo fabrikë është themeluar nga Sanije Berisha dhe bashkëshorti i saj, Esat Berisha, mërgimtarë nga Zvicra. Përveç prodhimit të lëngjeve bio, ajo po ashtu bën prodhimin e xhemit dhe çajit aronia. Produktet njihen si produkte që forcojnë imunitetin dhe janë të kërkuara jo vetëm në tregun vendor edhe atë të jashtëm, sidomos në Zvicër”, njofton zyra e kryeministrit.
Sipas ZKM-së, gjatë kësaj vizite, Kurti dhe ministri Murati panë nga afër punën që bëhet në këtë fabrikë, kushtet e punës dhe u njoftuan me procesin prodhues. Ata ritheksuan përkushtimin e qeverisë për mbështetje ndaj bizneseve vendore prodhuese, veçanërisht ato që janë investime nga mërgata, të cilat përveçse hapin vende pune, po ashtu edhe ndihmojnë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Tutje, ZKM ka njoftuar se kompania “Aronica” është përfituese e mbështetjes me kredi përmes Dritares për Investime të Diasporës. Sipas njoftimit, me këtë kredi ajo ka investuar në makinerinë e prodhimit si përgatitja e produktit bazë, sterilizimi, mbushja, mbyllja e kapakut, pasterizimi, tharja, etiketimi si dhe paketimi./ GeP