25-11-2024

Kurti: Drejtësia dhe punësimi do të jenë prioritete tona

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit i fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, të mbajtura më 14 shkurt.

Referuar rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Vetëvendosje fitoi 47.7 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 17.40 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.29 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.50 për qind, transmeton albinfo.ch.

Theksohet se në rezultatet preliminare nuk përfshihen votat me kusht, votat me postë dhe votat e personave me nevoja të veçanta.

Kurti, në një konferencë për media nga selia e partisë së tij në Prishtinë, e cilësoi si “madhështore” fitoren.

“Ky referendum për drejtësi dhe punë, e kundër kapjes së shtetit dhe korrupsionit u fitua. Është diçka e pashembullt në Kosovën e pasluftës”, tha ai.

“Nga nesër fillon një ditë e re. Na presin shumë punë dhe angazhime, sepse vendi është në kriza të shumëfishta”.

“Secili prej nesh duhet ta marrë përgjegjësinë që i takon, për ta bërë vendin tonë një vend të jetueshëm për të gjithë, ashtu siç është i dashur për të gjithë”, tha Kurti, duke u zotuar se do të udhëheqë “pa inate dhe pa revanshizëm”.

“Prioriteti ynë është drejtësia dhe punësimi”, theksoi ai.

Vjosa Osmani, kandidate e listës së Vetëvendosjes për presidente, tha se me fitoren e kësaj partie “Kosova do të ndryshojë”.

“Institucionet e reja do të drejtohen nga drejtësia”, tha ajo.

Asnjë koment

Comments are closed.