25-11-2024

Kurti e Haxhiu jashtë listës për deputetë, VV-ja nuk ankohet në Kushtetuese

Gjykata Supreme ka konfirmuar se bartësi i listës së Vetëvendosjes, Albin Kurti, nuk mund të kandidojë në zgjedhjet e 14 shkurtit. Në garën zgjedhore nga ky subjekt nuk mund të marrin pjesë as Albulena Haxhiu e Bajram Mavriqi. Nga katër kandidatët e larguar të AAK-së, në garë Supremja ka rikthyer vetëm njërin. Vetëvendosje ka njoftuar në mbrëmjen e së premtes se nuk do të ankohet në Gjykatën Kushtetuese. Nga KQZ-ja paralajmërojnë mbajtjen e mbledhjes së radhës për të vazhduar me procedurat e tjera në prag të ditës së zgjedhjeve
Prishtinë, 29 janar – Lëvizja Vetëvendosje nuk do të ankohet në Gjykatën Kushtetuese ndaj vendimit të Gjykatës Supreme për moscertifikimin e bartësit të listës së saj, Albin Kurti, dhe dy kandidatëve të tjerë për deputetë, Albulena Haxhiu e Bajram Mavriqi. Sipas VV-së, ankesa do t’u shërbente skenarëve që duan të pamundësojnë mbajtjen e zgjedhjeve më 14 shkurt.

“E pamë vendimin e fundit të Gjykatës Supreme. Ky vendim i kundërvihej aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Zgjedhjet do të mbahen më 14 shkurt, ndonëse ka përpjekje për pamundësimin e tyre. Ankesa në Gjykatën Kushtetuese do t’u jepte shpresë këtyre përpjekjeve. Lista jonë me 110 kandidatë garon në referendumin e 14 shkurtit. Vazhdojmë me aktivitetet tona drejt fitores plebishitare”, thuhet në postimin e VV-së në Facebook.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka mbetur përfundimisht jashtë garës zgjedhore të 14 shkurtit. Këtë të premte, Gjykata Supreme, instanca e fundit që bën vlerësimin e ligjshmërisë dhe vendimmarrjes të gjykatave të rregullta, vlerësoi se vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me moscertifikimin e kandidaturës së Kurtit është i drejtë dhe se i njëjti nuk duhet të hidhet poshtë.

Një kërkesë të tillë, për hedhjen poshtë të vendimit të PZAP-së, e kërkuan të mërkurën Lëvizja Vetëvendosje. Por sipas Supremes, si institucion janë të detyruar të zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, duke iu referuar kështu vendimit të fundit, sipas të cilit personat e dënuar me vendim të prerë nuk mund të marrin pjesë në zgjedhje.

Ndonëse, sipas Supremes, për praktikë gjithherë kanë pasur që të konsiderojnë dënimet plotësuese si kufizim të vetëm të së drejtës për t’u zgjedhur, dënim të cilin nuk e kanë pasur kandidatët e subjekteve politike të cilët nuk janë certifikuar nga asnjë prej institucioneve kompetente.

Në vendimin e publikuar pasditen e së premte, Supremja është arsyetuar se me vendimin e Kushtetueses “ është përjashtuar mundësia që përshtatshmëria e kandidatëve të vlerësohet në kontekstin e rrethanave që kanë të bëjnë me llojin e dënimit dhe pasojat juridike”.

“Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, përshtatshmëria e kandidatit do të duhej të vlerësohej nga rrethanat nëse të njëjtit i është shqiptuar dënimi plotësues, mirëpo, duke qenë se Gjykata Kushtetuese është autoriteti që ka juridiksion për interpretim përfundimtar të normave kushtetuese, përfundimi meritor i çështjes në fjalë është mbështetur në interpretimin dhe efektin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet ndër tjerash në aktgjykimin e Supremes.

Përveç Kurtit, Supremja ka bërë të ditur se në garën zgjedhore nuk mund të marrin pjesë as Albulena Haxhiu e Bajram Mavriqi. Nga kandidatët e larguar të Vetëvendosjes, Supremja ka certifikuar Liburn Aliun e Labinotë Demi-Murtezin. Sipas Gjykatës, PZAP-ja ka gabuar në llogaritjen e afatit prej 3 vjetëve. Kjo për shkak se afati prej tre vjetësh i Aliut e Demi-Murtezit përfundon para datës së zgjedhjeve. Në arsyetimin për një gjë të tillë, Supremja ka cituar pikën e parë të nenit 45 të Kushtetutës, e cila thotë se “çdo shtetas i Republikës së Kosovës që ka arritur moshën 18 vjeç, qoftë edhe në ditën e zgjedhjeve, gëzon të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet, me përjashtim kur kjo e drejtë i kufizohet me vendim gjyqësor”.

“Gjykata Supreme e Kosovës e ka pranuar pjesërisht ankesën e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje, duke certifikuar si kandidatë për deputetë Liburn Aliun dhe Labinotë Demi Murtezin, pasi që është vlerësuar se PZAP-ja ka bërë vlerësim të gabuar të afatit 3-vjeçar të përcaktuar në nenin 29, paragrafi 1, pika q) e LZP, duke e llogaritur ditën e shpalljes së zgjedhjeve më datë 6 janar 2021 si ditë përfundimtare për të vlerësuar afatin 3-vjeçar për përshtatshmërinë e kandidatëve në kuptim të dispozitës së theksuar”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme.

Pas vendimit të Supremes, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se do të analizojnë vendimin e Supremes e më pastaj do të vendosin për hapat që ndërmarrin.

“Nuk e kam parë atë vendim, kur të na vijë në zyrën e Vetëvendosjes e trajtojmë, e analizojmë edhe shohim çfarë hapash do të ndërmarrim më tutje, ku do të mund të ankohemi nëse është kështu siç po paralajmërohet”, ka thënë ai për TvBesa.

Në ditën e dorëzimit të ankesës në Gjykatën Supreme, Lëvizja Vetëvendosje pati paralajmëruar se nuk do mjaftoheshin me ankesën në Supreme, në rast se ajo nuk vendos në favor të tyre. Gjykata Kushtetuese është institucioni në të cilën kjo parti ka paralajmëruar se do të ankohet. Të mërkurën, zyrtari ligjor i VV-së, Blerim Sallahu, deklaroi se në rast se nuk aprovohet ankesa e tyre nga Supremja do të kërkojnë masë të përkohshme nga Kushtetuesja.

Me arsyetimin e njëjtë se PZAP-ja ka llogaritur gabimisht afatin prej 3 vjetësh, Supremja ka miratuar pjesërisht edhe ankesën e AAK-së. Kësisoj, nga katër kandidatët për të cilët është ankuar, Supremja ka kthyer në garë vetëm Shemsedin Dreshajn.

“Gjykata Supreme e Kosovës vlerëson se afati 3-vjeçar duhet të llogaritet duke iu referuar datës së aktgjykimit penal të formës së prerë për secilin kandidat veç e veç e deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve, që në këtë rast është data 14 shkurt 2021”, thuhet në vendimin e Supremes.

Për dallim nga Vetëvendosje dhe AAK-ja, ankesat e të cilave janë pranuar pjesërisht, Supremja ka hedhur poshtë ankesat e tri subjekteve politike. Në mesin e tyre edhe atë të Nismës Socialdemokrate, së cilës nga lista prej 110 kandidatëve për deputetë i janë larguar 12.

Vendimin e Gjykatës Supreme, pasditen e së premtes e ka komentuar edhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti. Në një konferencë për media, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Hoti tha se “ata që kanë probleme me ligjin nuk mund të mbajnë e as nuk është dashur të mbajnë poste publike. Nëse e interpretoni me kujdes vendimin e Gjykatës Kushtetues, e kuptoni se kryeministri përpara meje nuk ka pasur të drejtë të jetë as deputet e as kryeministër”.

Me publikimin e vendimeve të Gjykatës Supreme lidhur me ankesat e subjekteve politike ndaj vendimeve të PZAP-së, i është hapur rruga Komisionit Qendror Zgjedhor që të procedojë me përgatitjet e tjera për procesin zgjedhor. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se do të veprojnë në përputhje me vendimet e Supremes.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të lexojë me vëmendje të gjitha vendimet nga Gjykata Supreme dhe ashtu siç e kemi bërë të ditur edhe më herët, pra gjatë fillimit të fazës ankimore do të veprojmë në përputhje me vendimet e Gjykatës Supreme. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve besoj se do të mblidhet gjatë ditës së nesërme për të proceduar më tej konform vendimeve të Gjykatës Supreme dhe për këtë do t’iu njoftojmë me kohë”, ka deklaruar Elezi.

Sipas planit të KQZ-së, më 1 shkurt pritet të bëhet tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotime, derisa dy ditë më pas, zyrtarisht do të fillojë edhe fushata zgjedhore, e cila do të zgjasë 10 ditë.

https://www.koha.net/arberi/256329/kurti-e-haxhiu-jashte-listes-per-deputete-vv-ja-nuk-ankohet-ne-kushtetuese/

Asnjë koment

Comments are closed.