23-02-2026

Kurti: FSK-ja pjesëmarrëse në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën

Kryeministri Kurti në një deklarim për media tha se edhe vetë populli i Kosovës në vitin 1999 veçanërisht, ka qenë përfitues i Forcave Ndërkombëtare.

“Nga ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci si dhe nga komandanti Bashkim Jashari, në mandatin e kaluar, nga unë është kërkuar leja për të shkuar në një konferencë në Doha të Katarit lidhur me Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gaza. Siç e dini ne kemi ndarë gjysmë milioni euro për Gazën, për ndihmë humanitare atje. Forca e Sigurisë së Kosovës për shkak të aftësive të shquara ndërkombëtarisht sa i përket kërkim-shpëtimit dhe de-minimit dhe jo vetëm, atëherë kemi qenë të gatshëm të marrim pjesë në këtë Forcë Stabilizuese Ndërkombëtare. Kemi qenë përfitues edhe ne nga Forcat Ndërkombëtare, në vitin 1999 sidomos, edhe më pas. Kemi dashur që të kontribuojmë edhe ne”, ka thënë Kurti.


Kurti shtoi po ashtu se kjo “Forcë Stabilizuese Ndërkombëtare do ta ketë edhe një organizatë politike, dhe janë duke u diskutuar elementet konkrete se si do të ecën përpara”.

Në takimin inaugurues të Bordit të Paqes në Uashington, presidentja Vjosa Osmani bëri të ditur se Kosova është në mesin e pesë shteteve të para që janë zotuar për dërgimin e trupave paqeruajtëse në kuadër të një force të përbashkët ndërkombëtare për sigurinë në Gazë.

Asnjë koment

Comments are closed.