Kurti fton qytetarët të votojnë për 4 vjetët e ardhshme
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka votuar sot në Fakultetin Juridik në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.
Pas votimit, Kurti është deklaruar për mediat, duke ftuar të gjithë qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre për votë dhe të përcaktojnë se kush do t’i qeverisë për katër vitet e ardhshme.
Ai u pyet edhe pse qëndroi një natë më parë në Mitrovicë të Jugut, dhe theksoi se zgjedhjet komunale janë po aq të rëndësishme sa ato qendrore.

“Është ditë e mirë për demokracinë dhe vullnetin e lirë. Republika e Kosovës mbanë zgjedhjet në raundin e dytë për balotazh në 18 komuna të shtetit tonë. Unë posa votova këtu në Prishtinë, në ndërtesën e Fakultetit Juridik. U bëjë thirrje gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të shfrytëzojnë rastin dhe të bëhen pjesëmarrës e vendimmarrës për kryetarët e komunave dhe kësisoj për katërvjeçarin në vijim për ta si banorë të komunave të Republikës. Gjithçka do të shkojë mbarë e mirë dhe Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë përgatitjet, por edhe të gjithë komisionerët e vëzhguesit tashmë ndodhen në qendrat e votimit”, tha Kurti.

“Gjatë kësaj fushate unë kam punuar me tri ndërrime, pra anembanë komunave të Kosovës, dhe jam përpjekur të vëzhgoj përgatitjet për zgjedhje, sepse zgjedhjet komunale lokale nuk janë më pak të rëndësishme se ato qendrore, duke qenë se qytetarët e Republikës janë edhe banorë të komunave dhe është tejet e rëndësishme për mirëqenien, dinjitetin dhe cilësinë e jetës se çfarë kryetarët e komunave do të kenë. Fletëvotimi ishte i thjeshtë, kishte vetëm dy emra, dhe njëri prej tyre doemos bëhet kryetar në mbrëmje”, shtoi ai.

