Kurti: Kosova dhe Kroacia ndajnë lidhje të thella – të historisë, miqësisë dhe vlerave të përbashkëta
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në eventin e organizuar nga Ambasada e Kroacisë në Kosovë, me rastin e shënimit të Ditës Kombëtare të Republikës së Kroacisë.


“Kosova dhe Kroacia ndajnë lidhje të thella – të historisë, miqësisë dhe vlerave të përbashkëta. Kroacia ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës. Mbështetja juaj – politike, morale dhe praktike – ka qenë e palëkundur që atëherë. Për këtë, ne jemi thellësisht mirënjohës”, tha Kurti.
Në këtë ditë të rëndësishme për popullin dhe shtetin kroat, Kurti shprehu në emër të Qeverisë dhe popullit të Republikës së Kosovës urimet për Presidentin Zoran Milanović, Kryeministrin Andrej Plenković dhe të gjithë qytetarët kroatë.
Në fund, kryeministri në detyrë theksoi se së bashku, mund të kontribuojmë për një rajon të lirë, demokratik dhe të ankoruar fort në vlerat euroatlantike, duke shtuar se do të vazhdojmë të thellojmë lidhjet tona dypalëshe në tregti, arsim, kulturë dhe mbrojtje. /IndeksOnline/