28-11-2024

Kurti lavdëron policinë në 23 vjetorin e themelimit të saj: Ju falënderoj sot e çdo ditë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka lavdëruar policinë në 23 vjetorin e themelimit të saj.

Gjatë fjalës së tij në shënimin e përvjetorit të policisë së Kosovës, ai tha se jo rastësisht viti i themelimit përkon me çlirimin e vendit tonë.
“Viti i themelimit përkon me çlirimin e vendit tonë. Qindra ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1999 pas uniformës fitimtare ushtarake vazhduan me misionin e zyrtarit policor në shërbim të Kosovës. Angazhimi i policisë s’pushoj asnjëherë që prej atëherë. Nga ministri i parë i Brendshëm në Kosovën e çliruar, Rexhep Selimi e deri te ministri ynë aktual. Zyrtari policor përveç përgjegjësisë që mban mbi supe, çdo ditë të jetës së tij në detyrë dhe jashtë saj e ka peshën e misionit më fisnik që ndokush mund ta ketë, sigurinë e vendit dhe të jetës së qytetarëve. Liria dhe siguria janë qenësore dhe ju duhet të jeni garanci për to. Liria është e qytetarit dhe siguria është për qytetarin”.

Kurti ndër të tjera kujtoi Enver Zymberin, policin që ra në krye të detyrës. Ai poashtu falënderoi policët për punën që e bëjnë, duke iu bërë thirrje që bashkërisht të mbushin zbrazëtirat të cilat siç tha ai, janë krijuar ndër vite.

“Për këtë kohë sa bashkëpunojmë ju keni dëshmuar se jeni të pakompromis në luftën që i keni shpallur krimit dhe për këtë janë rezultatet tuaja që dihen botërisht. Nuk jeni ndalur ndonëse nga bandat e ndryshme u janë drejtuar armë e u janë shkrepur plumbat. Puna dhe rezultatet tuaja të përditshme do t’i pengojnë krimit dhe atyre që ushqejnë atë.
Përpjekjet për t’iu mundur e zmbrapsur do të jenë të vazhdueshme, qarqe të caktuara do të përpiqen t’iu kthejnë në anën e tyre por ju angazhohuni qe ata të dështojnë. Në çdo ditë të punës, të gjithë ne bashkë i kujtojmë 21 kolegët tuaja që ranë në krye të detyrës në përpjekje të vendosjes së rendit dhe ligjit në Kosovë. Ata nuk u dorëzuan përball asgjëje dhe ranë duke zbatuar misionin e përbashkët. Heroi ynë Enver Zymberi u ballafaqua me bandat kriminale serbe, rënia e tij në mbështetje të sovranitetit tonë shtetëror dhe respektimi i integritetit territorial e kundër krimit dhe paligjshmërisë do të mbetet për të gjithë ne si shembull i dashurisë së pakusht për Republikën tonë. Jemi të vetëdijshëm për sfidat që keni në detyrën tuaj dhe asnjëra nuk është e patejkalueshme ndonëse kërkon kohë. Bashkërisht duhet të punojmë për të mbushur zbrazëtirat janë krijuar ndër vite për të krijuar një polici model. Integriteti moral dhe integriteti personal janë shtyllat e domosdoshme brenda policisë së Kosovës, një polici e cila është shembull për profesionalizmin e saj. Ju falënderoj sot e çdo ditë për punën që e bëni”, tha kryeministri Kurti, njofton Klankosova.tv.

Asnjë koment

Comments are closed.