Kurti: Mori fund padrejtësia ndaj pensionistëve që u larguan dhunshëm nga puna në vitet e ‘90-ta
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur miratimin e Ligjit për Skemat Pensionale.
Ai ka thënë se me këtë vendim mori fund padrejtësia ndaj pensionistëve që u larguan dhunshëm nga puna në vitet e ‘90-ta.
“Rreth 70 mijë pensionistë të cilët po të mos ishin larguar dhunshëm nga puna në vitet e ‘90-ta do të arrinin kushtin prej 15 vitesh kontribut deri më 01.01.1999. Tani e tutje, ata, do të marrin pensionin parcial kontributpagues”, ka shkruar Kurti.
Ai në një reagim në Facebook ka thënë se hapi tjetër do të jetë reforma e plotë pensionale bashkë me atë sociale.
“Mbetemi të përkushtuar për krijimin e një sistemi pensional të barabartë për të gjithë dhe ngritje të mirëqenies sociale. Hapi tjetër do të jetë reforma e plotë pensionale së bashku me reformën sociale, për të cilat kemi filluar punën. Shumë shpejt do t’i dërgojmë në Kuvend këto projektligje për të bërë ndryshimet e nevojshme ligjore. Qeveria për pensionistët”, ka shkruar Kurti.
Kuvendi sot ka miratuar në lexim të dytë edhe ndryshimin e Ligjit për Pronën e Paluajtshme.
Nga ky ligj do të mundësohet zbritja prej 100 euro në faturat e tatimit në pronë për vitin 2023./GS