Kurti për BBC: Bisedimet në Bruksel nuk ishin të lehta, por rezultatet janë të kënaqshme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë një intervistë të shkurtër për “BBC World Service”, pas arritjes së marrëveshjes me Serbinë mbi lëvizjen e qytetarëve të të dyja vendeve.
I pyetur nga gazetari se a është i lumtur për këtë marrëveshje, kryeministri Kurti tha:
“Po ne kemi pas bisedime ne Bruksel që nuk kanë qenë të lehta por rezultatet janë të kënaqshme sepse tani kemi reciprocitet mes Kosovës dhe Serbisë, në kuptimin e lëvizjes së lirë, për qytetarët e të dyja vendeve”.
Tutje ai falënderoi për punën e zellshme Shefin e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, ndërmjetësuesin e dialogut Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak dhe të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar.
“E falënderoj Borrellin, Lajcak dhe Escobar për punën e zellshme në Prishtinë dhe Beograd, në të njëjtën kohë i falënderoj qytetarët e Kosovës për mbështetjen”, tha Kurti.
Teksa foli për “tensionet” që ndodhën një muaj më parë në veri të vendit lidhur me zbatimin e reciprocitetit, kur Qeveria e Kosovës vendosi me kërkesën amerikane të shtyjë zbatimin e vendimeve deri më 1 shtator, kryeministri ndër të tjera u shpreh se “janë bindur të gjithë se çfarë kemi bërë nuk është ilegale”.
Ai foli edhe për afatin që iu është dhënë serbëve që të pajisin automjetet e tyre me targa të Kosovës.
“Ju kemi dhënë qytetarëve serbë dy muaj kohë për t’u pajisuar me targat e Republikës së Kosovës….Shpresoj që deri në tetor s’do të shohim automjete me targa që s’janë valide”, u shpreh ai ndër të tjera.