Kurti: Pesë persona të arrestuar për bashkëpunim me shërbimet sekrete serbe

Ai e ka cilësuar këtë si rezultat të operacioneve të suksesshme të udhëhequra nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) në bashkëpunim me Policinë dhe Prokurorinë.
“Këto raste, përveçse dëshmojnë përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për destabilizim, konfirmojnë suksesin tonë në zbulimin dhe çmontimin e rrjeteve të inteligjencës serbe në Kosovë”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, këto rrjete kanë tentuar të:
Rishkruajnë historinë për të njollosur luftën e UÇK-së dhe për të mohuar masakrën e Reçakut;
Infiltruar në organizata ndërkombëtare dhe qarqe ekstremiste fetare me synimin për të dëmtuar sigurinë dhe imazhin e Kosovës.
Kurti ka bërë të ditur se një nga të dyshuarit, i identifikuar si A.V., ka pranuar fajësinë pas përballjes me provat.
Ai ka vlerësuar lartë punën e AKI-së dhe institucioneve vendore e ndërkombëtare, duke theksuar se është treguar efikasitet dhe profesionalizëm i lartë në mbrojtjen e sovranitetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Në fund, Kurti ka bërë thirrje për vigilencë qytetare dhe angazhim të përbashkët për forcimin e sigurisë kombëtare.
“Trajtimi i suksesshëm i këtyre rasteve duhet të shërbejë si shembull për rritjen e vetëdijes dhe forcimin e frontit të përbashkët për siguri kombëtare,” përfundon Kurti./IO