Kurti: Policia e Kosovës s’i la shans krimit e terrorizmit në veri
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në fjalën e tij gjatë ceremonisë së 26-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, ka veçuar punën e Policisë në veri të vendit.
“Ky përvjetor nuk është thjesht një shënim i një date, por dëshmi e rrugës tonë të përbashkët si shtet dhe si shoqëri. Mbi shumë sfida dhe duke shënuar plot arritje ka qëndruar Policia e Kosovës me besnikërinë e saj ndaj qytetarëve dhe Republikës.”, theksoi Kurti.
Ai vlerësoi Policinë e Kosovës si themel të sigurisë së vendit dhe garantoi mbështetje të vazhdueshme institucionale.
“Gjatë këtij viti Policia e Kosovës ka konfirmuar sërish që është e guximshme dhe e palëkundur në punën e saj, në veri ajo sërish nuk i la shans krimit, terrorizmit dhe strukturave ilegale të sponsorizuara nga Serbia. U kthyen ndërtesa publike të uzurpuara, u çmontuan kompani ilegale, u sekuestruan armë e pajisje ushtarake, krejt këto fitore të qytetarëve tanë, të arritura falë policëve tanë që tregojnë qartë se epoka e paralelizmit ka marrë fund. Kosova është një e pandashme dhe e barabartë për të gjithë qytetarët e saj.”, ka shtuar Kurti.

“Policia jonë nuk ndalet as para krimeve të së kaluarës, arrestimet e personave të dyshuar për krime të kryera gjatë luftës janë dëshmi se drejtësia, edhe kur vonon, ajo megjithatë vjen një ditë. Kjo është përgjegjësi ndaj kujtesës tonë kombëtare dhe ndaj viktimave të agresionit dhe gjenocidit të Serbisë.”, ka thënë Kurti.