Kurti prezanton skicën: Hap pas hapi drejt Byrosë së Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar hapat nëpër të cilët është duke kaluar Byroja e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme.
“Me mbështetjen e 66 deputetëve të Kuvendit të Republikës, Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme mori edhe aprovimin e dytë për miratimin e tij të plotë. Falënderoj secilin dhe secilën prej tyre” ka shkruar kryeministri në Facebook.
Tutje, Kurti ka thënë se pasuria e fituar por e pajustifikuar është përfitim i padrejtë.
“Pasuria e fituar por që nuk arrin të justifikohet është përfitim i padrejtë, është padrejtësi, madje e tillë që thellon pabarazitë. Konfiskimi i saj është kompensim për shoqërinë, është drejtësi” vijoi i pari i Qeverisë.