24-11-2024

Kurti: Projekti për shkëmbim territoresh ka dështuar – por ideja nuk ka vdekur

ryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se në takimet me të dërguarin presidencial amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi është diskutuar për arritjen e një marrëveshjeje brenda disa muajsh. Por, ai tërheq vërejtjen se perspektiva e një marrëveshjeje vështirësohet kur afati kohor vihet përpara përmbajtjes. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Leonat Shehu, zoti Kurti thotë se projekti për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka dështuar por ideja ende nuk ka vdekur dhe se qeveria e tij do t’i jap fund asaj.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti, ende pa e marrë pushtetin, ju po përballeni me kërkesat për ripërtëritje të shpejtë të bisedimeve me Serbinë. A jeni i gatshëm për një gjë të tillë?

Albin Kurti: Sigurisht që po. Besoj që do të ketë dhe duhet të ketë dialog me Serbinë, sepse kemi shumë çështje të hapura, mirëpo, statusi i Kosovës nuk është njëra prej tyre. Ne konsiderojmë që me Serbinë tashmë i kemi 33 marrëveshje në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe duhet ta shohim qysh në muajin e parë në zyrë një bilanc të zbatimit të tyre dhe të ndikimit të tyre në realitetin e qytetarëve. Por edhe më herët se kaq, në javën e parë në zyrë si kryeministër i ri i Republikës së Kosovës, unë do të filloj dialogun me serbët e Kosovës, që është një gjë tjetër për zhvillim, dialog demokratik prej poshtë për integrim të tyre, ndërkaq ekipi negociator, ekipi i bisedimeve me Serbinë do të udhëhiqet nga unë sepse republika jonë parlamentare ashtu e do dhe ashtu e thotë me ç’rast do t’i vendosim edhe principet të dialogut të ardhshëm. Do ta kemi përgatitjen paraprake me dialog me Brukselin për dialog me Serbinë, por dua që patjetër të jetë edhe opozita e përfshirë meqenëse skena jonë politike e Kosovës nuk guxon të jetë e ndarë dhe e përçarë sa i përket Serbisë.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti, Serbia kërkon diçka nga Kosova në mënyrë që ta njoh pavarësinë e saj. Si do t’ia bëni me këtë?

Albin Kurti: Ne kemi po ashtu kërkesa për Serbinë. Përveç se duhet ta njoh Republikën e Kosovës, duhet ta ndryshoj kushtetutën, e ka kushtetutën të vjetruar Republika e Serbisë dhe duhet ta ndryshoj dhe gjithashtu duhet që të ballafaqohet me të kaluarën me ç’rast patjetër që Serbia na shfaqet si borxhli ndaj Kosovës edhe sa i përket suksesionit të Jugosllavisë edhe sa i përket reperacioneve të luftës edhe të okupimit. Prandaj besoj që i gjithë spektri politik kosovar, duhet të bashkohen në kërkesat e Republikës së Kosovës për Republikën e Serbisë, ku duhet theksuar një mijë e 500 të pagjeturit, pastaj janë mbi një milionë shqiptar të dëbuar ga shtëpitë e tyre në pranverën e vitit 1999, 860 mijë të deportuar jashtë Kosovës, njëzet mijë gra e vasha të përdhunuara, janë 10 mijë civilë të pambrojtur e të paarmatosur të vrarë në mesin e të cilëve mbi 1 mijë fëmijë, fondi i kursimeve pensionale, depozitat bankare dhe 1 mijë e 200 artefakte kulturore gjithashtu të plaçkitura por të mos harrojmë se edhe shumë ndërmarrje në Kosovë i kanë pasur degët, zyrat e tyre gjithandej në Serbi të cilat janë tjetërsuar padrejtësisht dhe këto janë vetëm disa prej elementeve përbërëse të kërkesave tona për borxhin që na e ka Serbia.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti, Serbia nuk ka shprehur ndonjë gatishmëri për ta njohur të themi Kosovën dhe një gjendje e tillë do të mbaj një status quo si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Sa është e qëndrueshme një gjendje e tillë?

Albin Kurti: Unë nuk them se po kënaqemi apo gëzohemi me këtë status quo, por nuk do të lejojmë as të nxitohemi dhe të biem edhe më poshtë seç jemi. Me hapa të nxituar mund ta përkeqësosh gjendjen. Besoj që korniza e integrimeve evropiane, fryma e Bashkimit Evropian, ideja udhërrëfyese e fqinjësisë së mirë, parimi i reciprocitetit, dialogu parimor i përgatitur mirë dhe i qëndrueshëm, është rruga e duhur përpara në mënyrë që të mos kemi dështime të reja për çfarë sigurisht më nuk e kemi komoditetin.

Zëri i Amerikës: Një javë pasi u emërua si përfaqësues i Posaçëm presidencial për bisedimet Kosovë – Serbi, ambasadori Grenell qëndroi në Prishtinë dhe në Beograd duke kërkuar që të dyja palët të punojnë ngushtë dhe shpejt për një marrëveshjeve gjithëpërfshirëse. Keni diskutuar në takim me të për ritmet kohore se kur mund të arrihet një marrëveshje me Serbinë?

Albin Kurti: Shkëlqesia e tij, ambasadori Grenell, insistonte që për investime në vendin tonë e në vendet tona, është e domosdoshme një marrëveshje e shpejtë përfundimtare me Serbinë. Natyrisht që ne nuk e mohojmë faktin që imazhet e vendeve tona, joshja e investitorëve të huaj do të mund të ndihmohej nga një marrëveshje që do të arrinim ne, mirëpo janë tre faktorë tjerë posaçërisht të cilët ndikojnë në ardhjen e investimeve të huaja, në kushtet ku as mërgata jonë nuk po investon në Kosovë e këto janë; e para, varfëria e përhapur në Kosovë që e zbret kërkesën agregate, e dyta; është korrupsioni i përhapur në institucionet e sistemit i cili ka krijuar biznese të privilegjuara që në mënyrë kujdestare i fitojnë tenderët të cilët specifikohen pikërisht për t’u fituar nga ato biznese dhe e treta; është qasja e vështirë në financa për shkak të bankave komerciale me kamata të larta të kredive. Pra, jemi për marrëveshje me Serbinë, jemi për dialog parimor me Serbinë dhe besojmë që marrëveshja e tillë ka nevojë të përmbaj patjetër pavarësinë e Kosovës të njohur nga Serbia, Serbia ta ndryshoj kushtetutën, të ballafaqohet me të kaluarën që do të thotë se për këtë marrëveshje duhet shumë më tepër të ndryshoj Serbia se sa Kosova dhe mbi të gjitha procesi drejt marrëveshjes dhe përmbajtja e marrëveshjes janë më prioritare, më të të rëndësishme se sa afati kohor për të. Nuk kemi kohë për të humbur por nuk e kemi as komoditetin për t’u nxituar.

Asnjë koment

Comments are closed.