Kurti takohet me ish-Presidentin Mesić, flasin për gjendjen e sigurisë në Ballkan
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, mirëpriti sot ish-Presidentin e Republikës së Kroacisë, Stepjan Mesić.

Në këtë takim të përzemërt, u evokuan momente të rëndësishme të dy popujve dhe u diskutua për zhvillimet aktuale, me theks të veçantë mbi bashkëpunimin në rritje ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë.
U theksua rëndësia e thellimit dhe zgjerimit të këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat, e posaçërisht në atë të mbrojtjes dhe sigurisë. U konstatua që gjendja në rajonin e Ballkanit është shumë më e mirë se para tri dekadave, por edhe që disa probleme janë të vjetra nga ajo kohë.

Për kontributin e tij në mbrojtjen dhe afirmimin e të drejtave të popullit tonë në periudha vendimtare historike, presidenti Mesiç së fundmi mori titullin Qytetar Nderi i Gjilanit.