23-11-2024

Kurti thotë se si Kryeministër do të iniciojë nisjen e tunelit që lidhë Prizrenin me Tetovën

Nga salla e sporteve në Prizren, kandidati i Vetëvendosjes për Kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se tubimet e tyre janë bërë si sauna.

“Kurrë më nxehtë nuk ka qenë në këtë sallë. Temperatura është 126 Fahrenhajt”, e ka nisur ai fjalimin e tij para qytetarëve dhe simpatizantëve.

Nga aty ai ka bërë thirrje që me 6 tetor të votohet sikur dy vjet më parë në Prizren.

“Fitorja e para dy vjetëve në Prizren duhet të vazhdojë në gjithë Kosovën për të mbyllur kapitullin 20 vjeçar të korrupsionit dhe të papunësisë. PDK-ja tashmë ka rënë sepse PDK-ja ka rënë në Prizren dhe në Mitrovicë. Me 6 tetor krejt Kosova bëhet Prizren dhe krejt Kosova është Mitrovicë”, ka thënë Kurti.

“Zemrat tona rrahin fortë pulsi jonë është i lartë, por zemrat tona janë të forta sepse jemi bashkë, ne, unë, ju jemi bashkë. Ka një gëzim në popull që nuk e kemi parë që na vitet 1999 e 2008, një etje për ndryshim e çlirim e pavarësim. Që nga ndërhyrja e NATO-së, nga dita e shpalljes së pavarësisë nuk kemi parë ngazëllim në zemra e shkëlqim në sy sikurse që e shohim tani”.

Kurti ndër premtimet e dhëna sonte mbrëma ka qenë edhe hapja e një tuneli që lidhë qytetin e Prizrenit me atë të Tetovës.

“Zotohem para jush që si Kryeministër i Kosovës, në takimin e parë me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut do të inicioj nisjen e projektit të lidhë Prizrenin me Tetovën. Një pjesë të punës duhet ta kryej Kosova dhe pjesën tjetër Maqedonia”.

Ai poashtu ka thënë se do të punojë për sjelljen e një ligji të ri të punës. /Klan Kosova

Asnjë koment

Comments are closed.