01-04-2025

Kurti: Votimi i Qeverisë së re do të bëhet në ditën e betimit të deputetëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës, ku gjatë një bisede me Myftiun Naim Tërnava, ka dhënë detaje për seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, që pritet të mbahet pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit, raporton Gazeta Sinjali. Ai tha se synohet të bëhet betimi i deputetëve, zgjedhja e kryetarit dhe kryesisë së Kuvendit, si dhe votimi i Qeverisë, gjithçka njëjtë siç u bë në seancën e kaluar.

“Pasi u publikuan rezultatet, është një seancë ku japim betimin. Synojmë një seancë për t’u zgjedhur edhe kryetari, kryesia, edhe qeveria, siç e kemi bërë edhe herën e kaluar në të njëjtën ditë”, tha Kryeministri Kurti.

Gjatë kësaj bisede, një moment qesharak u krijua kur Myftiu Tërnava e pyeti Kurtin nëse do të shohin ndryshime në rrogat e deputetëve pasi të japin betimin.

“Kur ta bëjnë betimin deputetët, veç i ecë rroga a po?”, pyeti Tërnava.

Kurti u përgjigj me humor, duke thënë: “Duket që po”, ndërsa Tërnava shtoi me një të qeshur: “Deputetët t’u thënë, zgjatë Zot.”

Ky moment i lehtë dhe i qeshur ka sjellë një atmosferë pozitive gjatë vizitës dhe ka theksuar lidhjet miqësore dhe të respektuara mes liderëve të institucioneve dhe Bashkësisë Islame të Kosovës.

Asnjë koment

Comments are closed.