17-03-2025

Kurtishi: Së shpejti pritet të bëhet sistemi digjital në Onkologji, sfidë mungesa e stafit

Drejtori i Klinikës Onkologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Dr. Ilir Kurtishi, ka deklaruar se shumë shpejt do të bëhet sistemi digjital në Klinikën e Onkologjisë, por shtoi se sfidë mbetet mungesa e stafit infermieror.

“Ka ndërruar komplet infrastruktura e brendshme e Klinikës së Onkologjisë dhe funksionalizimi i të dy reparteve, me ç’rast është bërë një ambient më i përshtatshëm dhe i sofistikuar, me pajisje si shtretër, klimatizim, ventilim etj. Po shpresojmë shumë shpejtë edhe sistemi digjital të bëhet në sportel dhe ambullanta tjera, por ajo që mbetet sfidë të klinika jonë është mungesa e stafit infermieror, edhe përkundër faktit që kemi pranuar infermierë prapë se prapë kemi mungesa”.

Në një rrëfim për emisionin Special One me Arbresha Kelmendin, në Klan Kosova FM, ai tha se ka pacientë që janë shumë mirë të informuar për sëmundjen e tyre, dhe se ka pasur pacientë të moshës mbi 95 vjeçare që kanë kërkuar ndihmë për trajtimin e sëmundjes së kancerit.

“Kam pasur pacientë të moshës mbi 95 vjet, që më thonë djali im, biri im me ma bo një qare se dua me jetu mirë, dua këtë sëmundje me trajtu. Ka të atillë të cilët refuzojnë trajtimin, por për pacientët me vullnet dhe që kanë zgjidhje, ne e bëjmë më të mirën për ta”.

Ndër të tjera, Dr. Kurtishi ka rrëfyer edhe për jetën e tij personale duke thënë se pasion e ka futbollin por për shkak të një lëndimi në gju nuk e ka vazhduar këtë profesion, por ka vendosur të bëhet doktor, duke mësuar në prehër të nënës farmaciste, pasi kjo ka qenë dëshira e prindërve dhe gjyshit të tij.

“Kam lujtar futboll aktiv dhe në moshën 16 vjeçare kam pas lëndim në gju, pas intervenimit kam pas vazhdimisht probleme me gjurin. Në të njëjtën kohë e kam pas hobi dhe pasion mjekësinë dhe qysh si 4 vjeçar, gjyshi mi ka vendos dëgjueset e mjekut në vesh dhe unë ja vendosja stetoskopin në gjoksin e tij, ai ka pas dëshirë që unë ta kryej mjekësinë”.

Ndërkohë, që profesionin e mjekut e kanë trashëguar edhe vajza dhe djali i tij të cilët janë duke u shkolluar në fushën e mjekësisë.

 

Asnjë koment

Comments are closed.