Kush është propozuar sivjet për çmimin “Ukë Bytyqi” në Suharekë?
Blerim Kuçi është propozuar si kandidati i vetëm për çmimin “Ukë Bytyqi”, të cilin Komuna e Suharekës e ndan çdo vit për një personalitet nga kjo anë, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.
Kjo është thënë gjatë takimit të Komisionit për ndarjen e këtij çmimi të përbërë prej 5 anëtarëve, në të cilin u tha se ka vetëm një propozim për këtë çmim.
Kryesuesi i komisionit Bexhet Kuçi, ka deklaruar se në afatin ligjor të paraparë për propozime për këtë çmim ka vetëm një propozim, nga kryetari i Komunës së Suharekës Bali Muharremaj, i cili e ka propozuar Blerim Kuçin, për ta marrë këtë çmim.
Në arsyetim, thuhet se ky propozim bëhet duke u bazuar në të kaluarën dhe të tashmen e aktiviteteve të Blerim Kuçit dhe në kontributin e dhënë për Kosovën dhe në veçanti për Komunën e Suharekës, pasi që nga qytetarët e Komunës sonë, nuk ka pasur propozime.
Kuçi është deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). /GazetaePrizrenit.net/