Kush ishte sheh Tahiri i dytë i Planejës? (1897-1974)
Shkruan: Fidan Shehu
Sheh Tahiri i dytë u lind në vitin 1897 në fshatin Planejë, Komuna e Prizrenit. Si trashëgimtar i Sheh Tahirit të Parë (i cili kishte kryer studimet për drejtësi në Stamboll të Perandorisë Osmane të asaj kohe, i caktuar Kadi i Prizrenit dhe si bashkëkohanikë dhe këshilltar i Ymer Prizrenit).
Sheh Tahiri i Dytë i ardhur si sheh në Teqenë e Planejës pas Sheh Sylës i katërti me radhë nisur nga themeluesi i Teqesë së Planejës që ishte Sheh Tahiri i Parë.
Sheh Tahiri i Dytë i rritur në një familje me vlera të larta arsimore dhe kulturore arriti që në kohën midis dy luftërave botërore të kryen shkollimin (Medresën) në Shkup, aty ku ekzistonin dy medrese të vetmet që mësohej në gjuhën shqipe, sepse nuk lejohej përdorimi dhe mësimi i gjuhës shqipe në Kosovën e asaj kohe të pushtuar nga Serbia e cila sillte kolonë serb dhe shqiptarët i detyronte të shpërnguleshin për në Turqi, ku fillimisht i pajiste me pasaportë turke dhe i shpallte si turq për ti internuar për gjithmonë. Në këtë kohë shkalla e analfabetizmit te shqiptarët në Kosovë ishte 90%.
Me vizionin e tij Sheh Tahiri i Dytë arriti që trashëgiminë e pasur të familjes Shehu të Planejës ta përtërijë dhe bashkë edhe anëtarët e tjerë të familjes të kontribuoi në uljen e shkallës së analfabetizimit dhe në ndalimin e shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi.
Në vitin 1931 në fshatin Planejë hapet një Mejtep (shkollë fillore), nën udhëheqjen e Mulla Reshyt Shehu, ku kontributi në mësimin e gjuhës shqipe në ato troje ishte i madh.
Në kohën e Sheh Tahirit të Dytë, familja Shehu e Planejës numëronte mbi 100 anëtarë, dhe karakteristikë ishte se kjo familje funksiononte me një disiplinë dhe harmoni të madhe nën udhëheqjen e Shehut dhe zotit të shtëpisë( i cili merrej drejtpërdrejt me udhëheqjen e veprimtarisë apo punëve në familje).
Më 31 Mars 1980, kjo familje numëronte 134 anëtarë dhe me këtë datë ndahet si familje e gjerë.