Kush janë emrat që janë përmendur për nënkryetarë nga subjektet politike?
Pas gjashtë muajve të ngërçit politik, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë arritur ta zgjedhin për kryeparlamentar, deputetin e LVV-së, Dimal Basha.
Pasi Basha u bë kryeparlamentar, Kuvendi ka shkuar në pauzë për një orë.
Me vazhdimin e seancës pritet edhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Më herët, Telegrafi ka raportuar se PDK për nënkryetare do ta propozojë Vlora Çitaku dhe se LDK do ta propozojë Kujtim Shalën, ndërsa nga LVV dhe Lista Serbe nuk ka pasur ndonjë emër që është bërë publik.

Ndryshe, Basha mori 73 vota për, kundër ishin 30 dhe 3 abstenuan.
Ishte hera e dytë që emri i Bashës u propozua për kryeparlamentar, ndërkaq ishte emri i pestë me radhë i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Fillimisht, propozimin e Bashës e bëri deputetja dhe ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Pas propozimit, kryesuesi i seancës e hodhi në votim këtë propozim, ndërsa zgjedhja e tij në krye të Kuvendit u arrit me votat e Partisë Demokratike të Kosovës dhe disa deputetëve të AAK-së.

Kreu i PDK-së para nisjes së seancës tha se kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha nuk i plotëson kriteret për kryetar të Kuvendit, mirëpo sipas tij, nëse LVV nuk ka kandidat më të mirë atëherë do ta votojnë.