Kushtet anti-Covid që duhet të plotësojnë mërgimtarët për të hyrë në Kosovë
Në rast të mungesës së testit, do të kërkohet karantinim për një periudhë shtatë ditore.
“Të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës, që tentojnë të hyjnë në Republikën e Kosovës, përmes pikave kufitare, në rast të mungesës së certifikatës së vaksinimit, për t’ua mundësuar hyrjen, Policia do të kërkojë testin PCR negativ jo më të vjetër se 48 orë, apo të kërkojë karantinim për periudhë 7 ditore”, thuhet në njoftim.
Aktualisht të gjitha vendkalimet kufitare janë të lira për qarkullim dhe nuk ka kolona. Kurse, nga data 3 janar 2022 për të hyrë në Kosovë qytetarët duhet të kenë të dy dozat e vaksinimit kundër COVID-19.
Ndryshe në masat anti-COVID të miratuara nga Qeveria e Kosovës më 1 dhjetor thuhej se çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë një nga dëshmitë e mëposhtme:
-Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë (me dy doza) kundër COVID-19;
-Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë bashkë me dëshminë se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë).
-Nga data 3 janar 2022 për të gjithë personat që hyjnë në Republikën e Kosovës do të vlejë vetëm dëshmia sipas pikës 2.1 të këtij (Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë (me dy doza) kundër COVID-19), thuhej në vendim.